Tavo: Premtimet e qeverisë, demagogji
Tiranë- “Asnjë program qeveritar për shëndetësinë nuk është reflektuar në buxhet”. Kështu është shprehur sot deputeti socialist Vangjel Tavo, gjatë një deklarate për mediat, duke theksuar se të gjithë ata shqiptarë të cilët jetojnë në varfëri do tu mohohet shërbimi spitalor, pasi duket qartë që nuk ka asnjë program qeveritar për këtë kategori.
Ai ka numëruar edhe të tjera programe, që deklarohen me bujë si ai i parandalimit të kancerit tek gratë, por që nuk shfaqen e nuk duken në këtë buxhet e mesa duket dhe ato janë premtime boshe elektorale.
Tavo ka denoncuar demagogjinë e kryeministrit për buxhetin, duke e quajtur atë kampion në gënjeshtra e premtime.
Sipas tij, shëndetësisë i ka mbetur vetëm emri si sektor prioritar, pasi vërtetësinë e kësaj e dinë fare mirë ata që kanë pasur fatin e keq që të përballen direkt me gjendjen nëpër spitalet e vendit tonë.
“Me gjithë gjendjen e krijuar në sistemin shëndetësor në këto tre vjet të qeverisjes së PD-së, gjendje që as në vitet 90-të e as në 97-ën nuk ka qenë e tillë, Kryeministri ynë, me demagogjinë karakteristike të tij, ka kurajon të dali përpara shqiptarëve dhe krizën që ka zaptuar sistemin shëndetësor, ta paraqesë si “arritje” të qeverisë”- tha Tavo.
Kriza, sipas tij është pranuar edhe nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, ku vetë ministrja aktuale ka deklaruar publikisht se sistemi shëndetësor është në gjendje krize të thellë dhe se në depot e spitaleve janë gjendur stok plot 26 milion euro medikamente të skaduara, që tregojnë qartë se, korrupsioni, mungesa e menaxhimit, mungesa e vizionit, qëllimeve dhe objektivave e më pas përllogaritjeve të pasakta janë shkaqet e kësaj krize.
Me gjithë gjendjen e vështirë, që ai e ka quajtur “gjendje kolapsi”, në sistemin shëndetësor, ajo çka të bën përshtypje në këtë projekt buxhet, që sot do të diskutohet dhe votohet në parlament, është që në vend që të kishim një rritje në përqindje të PBB kemi një ulje nga 2.3% të PBB-së në vitin 2008 në 2.1% të PBB-së për shëndetësinë në një kohë kur për sektorë të tjerë rritja ka qenë më e madhe.
Tavo ka theksuar faktin se në këtë projetbuxhet, që parashikon përfshirjen e kujdesit shëndetësor dytësor pra spitaleve në skemën e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, nuk ka asgjë të detajuar me shifra konkrete.
Ndërsa në karakteristikat e këtij buxheti flitet për përfshirje të kujdesit spitalor në skemën e ISKSH, sipas Tavos, nuk përmendet aspak për financim të shërbimeve spitalore nga ISKSH dhe për më tepër nuk detajohen shifrat për shpenzimet për secilin nga shërbimet e mësipërme apo përqindja që ato zënë në buxhetin e ISKSH.
Sipas tij, në këtë relacion nuk jepen shifra kur flitet për buxhetin e ISKSH por në projketligjin e paraqitur thuhet se fondet që do të përdoren për shërbimin spitalor, detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ai ka theksuar më tej se asnjë mënyrë nuk është prezantuar për zgjidhjen e premtuar të krizës së barnave. Sipas tij, është absurd dhe lë shteg të pastër për abuzime, fakti që menaxhimi i spitalit do të bëhet me përllogaritje buxheti rast pas rasti. Sipas Tavos, po t’i referohemi vendeve të rajonit, si Maqedonia dhe Kroacia shifrat janë sa dy dhe trefishi i këtij buxhetit që propozohet sot. Ndërkohë që shtrirja e skemës së sigurimeve kërkon vërtet një buxhet fillestar që ti afrohet 7-9 % të GDP, për të përballuar kostot me të cilat do të përballet shtrirja e skemës gjë e cila nuk po ndodh në fiancimin e shëndetësisë tonë.