Tavo: Strategji 5-vjeçare për planifikimin familjar

Vangjel Tavo
Është bërë dje publike Strategjia Kombëtare e sigurimit të Kontraceptivëve për periudhën 2012-2016, në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në thelb, strategjia ka si objektiv rritjen e ndërgjegjësimit qytetar në mënyrë që në fushën e planifikimit familjar, deri në vitin 2016 të rritet prevalenca e përdorimit të metodave moderne kontraceptive me 30%.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, ministri Vangjel Tavo u shpreh se synimet e strategjisë së lançuar nga institucioni është që të sigurojë vazhdimësinë e përdorimit të metodave bashkëkohore të kontracepsionit. Kjo strategji synon të përmirësohet aksesi, kërkesa dhe cilësia e shërbimeve të planifikimit familjar dhe shëndetit riprodhues drejt synimit për të rritur përdorimin e metodave moderne kontraceptive për të ndikuar kështu në uljen e numrit të shtatzënive të paplanifikuara, uljen e numrit të aborteve dhe përmirësimin e shëndetit të nënës dhe të fëmijës në Shqipëri, tha Tavo. Referuar shifrave sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se në shpërndarje gjeografike kontraceptivët bashkëkohorë ofrohen falas në 431 qendra shëndetësore në 36 rrethet e Shqipërisë, kurse në përdorim të dhënat e studimit të 2008-2009 tregojnë për një rritje të ngadaltë të përdorimit të tyre. Ky, sipas Ministrisë, është një tregues për nevojën e ndërhyrjeve përmes promocionit shëndetësor.