E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për pronën, sulmohen tre vëllezër

MIRDITE – Rrezikon të shndërrohet në tragjedi një tjetër konflikt për shkaqe pronësie. Tre vëllezër kanë mbetur të plagosur në Prosek të Mirditës, pasi janë qëlluar me armë zjarri dhe granata dore nga një bashkëfshatar i tyre. Albert, Simon dhe Besnik Lleshi, përkatësisht 44, 42 dhe 27 vjeç, kanë marrë plagë nga të shtënat e armës së 67-vjeçarit Kolë Deda, i arrestuar menjëherë pas ngjarjes, i cili dyshohet se e ka kryer krimin i ndihmuar edhe djali i tij, Gëzim Deda 40 vjeç, shpallur në kërkim. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Rrëshenit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e para të kryera nga Policia e Mirditës bëhet e ditur se krimi ka ndodhur për shkaqe pronësie pasi mes autorit e vëllezërve të plagosur ka pasur mosmarrëveshje për një sipërfaqe toke që ndodhet në fshatin Prosek dhe pretendohet nga të dyja familjet. Sipas dëshmive të para, vëllezërit Lleshi kishin shkuar te familja Deda për të diskutuar mbi mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje mes tyre, por diskutimi është shoqëruar me debat dhe kërcënime mes palëve. Pas tensionimit të situatës, Kolë Deda ka reaguar duke hyrë brenda dhe ka marrë një armë zjarri automatike dhe disa granata e ka dalë sërish jashtë. Sapo 67-vjeçari ka hyrë brenda, tre vëllezërit Lleshi kanë kuptuar reagimin e bashkëfshatarit të tyre dhe janë nisur për t’u larguar. Teksa i ka parë në ikje e sipër, Kolë Deda ka qëlluar fillimisht me automatik e më pas ka hedhur edhe një granatë. Gjatë ikjes, vëllezërit Deda kanë marrë plagë të lehta të shkaktuara nga shpërthimi i granatës, ndërsa drejt fshatit Prosek janë nisur forcat e Policisë. Ajo ka gjetur në shtëpinë e tij 67-vjeçarin, të cilin e ka vënë më pranga pa asnjë rezistencë, ndërsa po punohet edhe për kapjen e djalit të tij, Gëzim Deda.           gj.f

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›