Viti i ri shkollor, kreditet për maturantët

Ministria e Arsimit
Viti i ri shkollor 2012-2013 për arsimin parauniversitar sanksionohet në detaj për mënyrën e organizimit në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Nga fillimi i regjistrimeve te shpërndarja e librave, programi edukues dhe aktivitetet e deri te kreditet dhe kushtet për Maturën Shtetërore janë të përcaktuara në udhëzimin e ri të firmosur nga kreu i MASH, Myqerem Tafaj.
Regjistrimet
Regjistrimi në shkolla i nxënësve të arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 29 gusht, por datat e mbylljes janë të ndryshme sipas kategorive që përfshihen, ku për arsimin bazë dhe gjimnazin regjistrimet mbyllen më datë 9 shtator. Për arsimin profesional me kohë të plotë, regjistrimet janë lënë të hapura deri më datë 30 shtator, kurse për atë me kohë të pjesshme deri më 15 tetor. Shkolla për të gjithë gjimnazet dhe arsimin bazë fillon më datë 10 shtator dhe përfundon më 14 qershor 2013. Ndarja e semestrave është sërish me pushime, ku periudha e parë fillon më 24 dhjetor dhe përfundon më 6 janar, kurse periudha e dytë fillon më 27 mars dhe mbaron më 31 mars.
Vlerësimi i nxënësve
MASH në udhëzim përcakton se numri i krediteve që duhet të sigurojë një nxënës në gjimnaz është 90, nga të cilat 73 i përkasin kurrikulës bërthamë, kurse 17 asaj me zgjedhje të lirë dhe të detyruar. Numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të detyruar mund të jetë 10-12, kurse numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të lirë mund të jetë 7-5, thuhet në udhëzim. Për nxënësit, theksi vihet në kujdesin e marrjes e notave kaluese, pasi në të kundërt rreziku për ripërsëritje është evident. Sipas udhëzimit, një nxënës nuk e kalon klasën kur ka mbetur në tri lëndë, mbetet në sesionin e dytë, në të paktën një lëndë. Për frekuentimin e dobët, në rastet kur për një lëndë mungesat variojnë në kufirin e 20-50% të orëve të zhvilluara, është lënë e hapur mundësia e dhënies së provimit përpara një komisioni dhe vlerësimi bëhet me një formulë të veçantë të përcaktuar nga MASH.
Matura Shtetërore
Nxënësit që do të jenë maturantë për vitin shkollor 2012-2013, e fillojnë shkollën më datë 10 shtator, por përfundimi i saj është më 24 maj. Sipas MASH, në total viti i fundit i arsimit parauniversitar ka të planifikuara 34 javë mësim dhe 5 javë provime, përfshirë gjithashtu dhe një javë pushim si efekt i festave. Sipas MASH, ata që do të jenë maturantë, duhet të jenë të kujdesshëm me frekuentimin dhe marrjen e notave kaluese, pasi në provimet e Maturës Shtetërore notat jo kaluese janë penalizuese. Maturantët nuk mund të futen në provimet e Maturës Shtetërore, kur janë mbetës në një ose dy lëndë të vlerësueshme (bërthamë ose zgjedhje). Këto lëndë mund ti japin në një periudhë para sesionit të dytë të MSH-së, thuhet në udhëzim.
Udhezimi i MASH
Gjimnazet
Mësimi:
Fillon më 10 shtator 2012 dhe mbaron më 14 qershor 2013.
Për maturat, mësimi fillon më 10 shtator 2012 dhe mbaron më 24 maj 2013.
Pushime:
Periudha e parë fillon më 24 dhjetor 2012 dhe mbaron më 6 janar 2013.
Periudha e dytë fillon më 27 mars 2013 dhe mbaron më 31 mars 2013.
Provimet e Maturës Shtetërore: 25 maj30 qershor 2013.3.1 Vlerësimi i nxënësit në gjimnaz
a) Numri më i vogël i krediteve që duhet të sigurojë një nxënës në gjimnaz, është 90, nga të cilat:
- 73 kredite i përkasin kurrikulës bërthamë;
- 17 kredite i përkasin kurrikulës me zgjedhje të lirë dhe të detyruar.
e) Nxënësi nuk e kalon klasën dhe ripërsërit atë kur:
- Rezulton mbetës në tri lëndë të vlerësueshme (bërthamë ose zgjedhje);
-Mbetet në sesionin e dytë, në të paktën një lëndë bërthamë/zgjedhje.
g) Maturantët nuk mund të futen në provimet e Maturës Shtetërore, kur janë mbetës në një ose dy lëndë të vlerësueshme (bërthamë ose zgjedhje). Këto lëndë mund ti japin në një periudhë para sesionit të dytë të MSH-së.