Era shkul çadrën e plazhit, humb jetën 9-vjeçari
SHKODER – Plazhi i Velipojës përjetoi dje një ngjarje të rëndë, pasi një fëmijë humbi jetën i goditur nga çadra e plazhit. Mësohet se pasditen e djeshme, 9-vjeçari Rrezart Gjoli, nga Peshkopia, ndërroi jetë në vend kur çadra e diellit buzë detit u shkëput nga rëra si pasojë e erës së fortë. Nga burime të Policisë së Shkodrës mësohet se në momentin e ngjarjes fëmija ishte së bashku me prindërit e tij në bregun e detit. Prishja e motit paraditen e djeshme në plazhin e Velipojës ka bërë që pushuesit të presin pushimin e shiut për të dalë nga kabinat e tyre. Pak pas mesditës, familja Gjoli ka dalë në bregun e detit, ku në pamundësi për të bërë banjë në det, së paku të shfrytëzonte ajrin e pastër të bregut. Në këtë kohë, djali ka qenë duke luajtur me rërë në breg të detit. Megjithëse shiu kishte pushuar, era e fortë ka vazhduar të fryjë sërish. Nga fuqia e saj është shkëputur pjesa e sipërme e një çadre dielli, e cila e ka goditur me forcë vogëlushin në kokë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur se fëmija fillimisht ka humbur ndjenjat, por më pas prindërit e tij kur kanë parë se rrjedha e gjakut nuk po ndalonte dot, të shqetësuar kanë kërkuar ndihmën e një ambulance për ta dërguar me urgjencë në spital. Ndërkohë që bluzat e bardha po bëheshin gati që ta fusnin vogëlushin në sallën e operacionit, ata kanë konstatuar se ai nuk mbijetuar dot për shkak të hemorragjisë. Sipas të dhënave, mësohet se viktima ishte nga Peshkopia dhe kishte ardhur me prindërit për të kaluar 15 ditë pushime në Velipojë. r.d