E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo përshëndet Greqinë, akuza për Bollanon e Kserën

Deputeti i PS-së dhe përfaqësuesi i minoritetit grek denoncon përpjekjet “kundër” të shoqatës. Deputeti Vangjel Tavo: “Ratifikimi i MSA-së nga Greqia nxori lakuriq krerët e OMONIA” . 

TIRANE- Deputeti socialist i Gjirokastrës dhe i minoritetit grek në po këtë rreth, Vangjel Tavo, përshëndeti dje përmes një konference të posaçme shtypi, ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nga Parlamenti grek. Tavo e quajti firmosjen e kësaj marrëveshjeje nga legjislativi i shtetit fqinj, një arritje të madhe për Shqipërinë dhe për minoritarët grekë në vendin tonë. “Kjo do të shërbejë si një kambanë që qeveria shqiptare të respektojë më shumë të drejtat e shtetasve të vet pa dallime etnie, por edhe si një gur prove po për qeverinë shqiptare, e cila duhet të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në të gjithë vendin”, - u shpreh deputeti i PS-së.
OMONIA
Por, pasi ka shprehur entuziazmin për ratifikimin e MSA-së nga katër partitë kryesore parlamentare greke, Tavo ka shpërthyer në akuza të ashpra ndaj organizatës së minoritetit grek, OMONIA, krerëve të saj si dhe ndaj deputetit tjetër të Gjirokastrës, Genc Ruli. Duke iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kreu të shoqatës, Vasil Bollano si edhe prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, ai i cilësoi ata si “ekstremistë” dhe “minues të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve”. “Ratifikimi i MSA-së me Shqipërinë nga Parlamenti grek nxori lakuriq krerët e OMONIA-s, të cilët janë shtirur sikur kishin në dorë ‘komandën’ për këtë firmë. Kjo firmë bëri të pëlcasë shashka e Bollanos dhe ekstremistëve të tjerë të OMONIA-s, si Spiro Ksera, që deri dje thanë se kishin ekskluzivitetin e firmosjes së saj”, - u shpreh Tavo. Në funksion të të njëjtit qëndrim, ai shtoi mandej se “e vërteta tregoi se Bollano e kompani kanë rrahur ujë në hava dhe se Bollano e Bollanot e tjerë të OMONIA-s nuk janë gjë tjetër, veçse mburoja e gjoksit të korruptuar të Sali Berishës. Tashmë këto vegla të Kryeministrit janë të diskredituara në sytë e gjithë minoritarëve. Kujt t’i besojnë minoritarët, OMONIA-s, që shfaqet me dy qëndrime dhe dy fytyra? T’i besojnë OMONIA-s së parafirmosjes, që ishte kundër ratifikimit të MSA-së apo asaj të pasfirmosjes, që përshëndet ratifikimin e saj?” - vuri në dukje Tavo, sipas të cilit, “tashmë kjo shoqatë nuk përfaqëson më askënd tjetër, veç interesave të vogla të një grupi drejtuesish të lodhur e mashtruesish”.
Genc Ruli
Në fjalën e tij, deputeti i PS-së sulmoi edhe kolegun e tij demokrat, Genc Rulin, njëherësh deputet i Gjirokastrës. Tavo tha se nuk mund të qaset në portat e Europës një vend si Shqipëria, e aq më tepër Gjirokastra, ku gjysma e popullsisë e festoi Vitin e Ri me qirinj, sepse nuk kishte energji elektrike. “Është absurde të mendosh se ishte pa energji qyteti i Gjirokastrës, që ka ministër të Energjisë deputetin e saj, Genc Rulin. Njëherësh, kjo është edhe tepër fyese për banorët. Ky është turpi i radhës për Rulin dhe për Kryeministrin e korruptuar, demagog dhe mashtrues, Sali Berisha”, - përfundoi Tavo.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›