Durrës 18 vjetori i PD, Berisha: Do liberalizojmë vizat
DURRES- Kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e festimit të 18-të vjetorit të krijimit të PD-së në Durrës e konsideroi si shumë të rëndësishme festimin e kësaj dite që sipas tij shënon lindjen e dinjitetit qytetar, me krijimin e një force politike e para opozitare në historinë e vendit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të PD-së në nivel qendror dhe lokal.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha, e vuri theksin në firmosjen e MSA-së
“Sëbashku arritëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në një kohë kur ata që u larguan nga pushteti me votë futën në parlament bori e bilbila. Këto ditë përfundoi ratifikimi i kësaj kontrate. 27 vende anëtare firmosën mbi veprën tuaj, mbi djersën e përkushtimin tuaj, reformat që ju mbështetët, sakrificat që ju bëtë."-theksoi Berisha.
Më tej Berisha është shprehur se "Jam këtu për t’u zotuar se, së bashku, Shqipërinë do ta bëjmë kandidate të Bashkimit Europian, së bashku do ta çojmë atë drejt anëtarësimit të plotë, së bashku do të lëvizim të lirë në mbarë Europën, pa viza, si qytetarë të saj. Ëndrra jonë perëndimore, ëndrra jonë euroatlantike, këto vite u shndërrua në realitet dhe ne morëm në Bukuresht ftesën për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, një akt madhor, historik, në fushën e sigurisë së këtij vendi. Pas kohërave të Skënderbeut, ftesa për anëtarësim në NATO ishte akti më kulmor. Unë ju garantoj se, ne së bashku do të bëjmë çdo përpjekje ta bëjmë atë anëtare të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut."-tha Berisha. (a.r/ata/balkanweb)