Të 5-ët e PS: Shkojmë në Kuvend!

Pesë deputetë të Partisë Socialiste i bëjne thirrje Edi Ramës të kthejë në parlament grupin parlamentar të Partisë Socialiste si i vetmi vend ku bëhet opozita e vërtetë. Në emër të Andis Harasanit, Arben Malajt, Marko Bellso dhe Kastriot Islamit, Ben Blushi deklaroi se opozita duhet të shkojë në Kuvend, aty ku dy ditë më parë u lexua programi ekonomik i qeverisë "Berisha" dhe asnjë opozitar nuk mundi të bënte detyrën për të cilën e ka mandatuar elektorati i majtë. Blushi deklaroi se pesë deputetët kundërshtarë të kësaj linje në Partinë Socialiste nuk do të shkojnë në parlament duke shkelur vendimin e shumicës parlamentare pavarësisht faktit se e gjejnë atë të pamotivuar dhe të gabuar tërësisht. Pesë deputetët kanë inicuar edhe "Lëvizjen për Mendimin Ndryshe" në Partinë Socialiste përmes së cilës synojnë t'i bëjnë të ditur elektoratit të majtë që vendimi i Ramës për të mos shkuar në parlament është i gabuar. Nga ana tjetër Edi Rama ka deklaruar në një takim në Vlorë gjatë turit për kryetar partie se ata që do shkojnë në parlament duke thyer urdhërin e partisë janë të vetëpërjashtuar.