E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina mendon për ‘Planin B’

Edhe pse FIFA i ka thënë jo bashkimit të ligave Kosovë-Shqipëri, FC Prishtina ende shpreson në një gjë të tillë. Kryesia e klubit ka paralajmëruar një mbledhje, në të cilën do të përcaktohet se nëpërmjet cilës rrugë ekipi i tyre do të mund t’i bashkohej më së lehti futbollit shqiptar.

Skuadra e Prishtinës nuk e ka ndërmend të ndalet nga misioni, të cilin e ka nisur kohë më parë – për pjesëmarrje në garat e Superligës së Shqipërisë, prej edicionit të ardhshëm.

Edhe pse FIFA të enjten i ka thënë jo bashkimit të futbollit Kosovë-Shqipëri, bardhekaltrit janë të bindur se ekzistojnë alternativa të shumta dhe legjitime për t’iu bashkuar Superligës së Shqipërisë.

Nënkryetari i klubit kryeqytetas, Afrim Muqiçi thotë se në javën e ardhshme kryesia e klubit do ta mbajë një mbledhje, në të cilën do të përcaktohet nëpërmjet cilës rrugë ekipi i tyre do të mund t’i bashkohej më së lehti futbollit shqiptar.

Madje, ai nuk e përjashton edhe opsionin që Prishtina të shpërngulet tërësisht në Shqipëri për t’u regjistruar si klub i ri në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe t’i nisë garat nga rangjet më të ulëta.

“Nuk e përjashtojmë as këtë opsion e asnjë opsion tjetër. Ne nuk jemi ndalur. Ende nuk e kemi marrë asnjë shkresë zyrtare nga FSHF-ja dhe jemi në pritje. Në javën e ardhshme do të mblidhemi anëtarët e kryesisë së klubit dhe do ta kërkojmë mënyrën e rregullt juridike që nëpërmjet Shqipërisë ta përfaqësojmë futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse në këtë izolim më nuk shkon. Sigurisht se do ta gjejë opsionin më të mirë. Çdo opsion është i hapur”, ka deklaruar Muqiçi për Express.

Ideja për formimin e një lige unike shqiptare është përfolur në opinionin shqiptar që nga periudha e pasluftës në Kosovë, derisa së fundi u përkrah nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Por, shpresat e shqiptarëve për formimin e një lige të përbashkët i ka shuar FIFA, e cila ia ka bërë me dije FSHF-së se formimi i kësaj lige do të binte ndesh me statutin e saj, andaj futbolli shqiptar do mund të përballej me sanksione.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›