Prishtina shkel Mitrovicën
Sigal Prishtina e ka shkel Mitrovicën të shtunën, në ndeshjen e parë të xhiros së 16-të të BKT Superligës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit e shënuan njërën prej fitoreve më të thella në basketbollin e pasluftës.
Epërsia e tyre ndaj djelmoshave të rinj mitrovicas ishte plot 101 pikë, 133:32. Prishtinasit gjatë vjeshtës e kishin arritur fitoren më të thellë në vitet e fundit pikërisht ndaj Mitrovicës, 160:51, respektivisht +109 pikë epërsi.
Me të vërtetë, mitrovicasit shënuan shumë pak pikë. Ata realizuan vetëm 32 pikë gjithsej, në 4 periudha nga 10 minuta, që i bie vetëm 8 pikë për një çerek. Kjo nuk i kishte ndodhur asnjë ekipi kosovar në Superligë, në basketbollin e pasluftës.
“Rezultat më të thellë më parë ka pasur, por t’i shënojë një ekip aq pak pikë nuk ka ndodhur asnjëherë në Superligë pasluftës”, ka thënë komisari i garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Nazmi Paçarada.
Të dielën, përcjellësi i bardhekaltërve, Bambi, pret po ashtu fitore në udhëtimin që do ta ketë në Vushtrri, ku e pret Kosova vendëse. Ndërsa kryendeshja e kësaj xhiroje do të zhvillohet në Mitrovicë, ku Trepça do të jetë mikpritëse e Pejës në ndeshjen e fundit.