E Diel, 1 Nëntor 2026

Të kapur për falsifikim, duan të lirohen nga burgu

03/07/2009  Sekseri i tokave të Kasharit dhe falsifikuesi i patentave

TIRANË- Dy të arrestuar për falsifikim e korrupsion, kërkuan dje ulje dënimi dhe lirim nga burgu. Ismail Sula një prej të pandehurve të dosjes “Kashari”, akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe abuzim me tokën, kërkon nga gjykata ulje dënimi. Kërkesa është paraqitur menjëherë pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit, i cili është edhe i formës së prerë. Ismail Sula u dënua me dy vjet burg nga gjykata dhe ky dënim është zvogëluar për shkak të kalimit të kohës më të madhe të tij. Ndërsa tashmë i është drejtuar gjykatës për të kërkuar një ulje dënimi prej tre muajsh. Kërkesa është depozituar në gjykatë dhe do të shqyrtohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Sipas vendimit të gjykatës të pandehurit në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë. Një nga personat që ka qenë në krye të këtij falsifikimi ishte kryeplaku i fshatit. Po kështu në lojën për grabitjen e pronës shumë banorëve të Kasharit kanë qenë edhe dy punonjës të kadastrës. Sipas vendimit të gjykatës, ata kanë abuzuar me tapitë e tokës duke ua dhënë personave të tjerë. Në këtë mënyrë kanë kryer edhe një mbivendosje që kërkon kohë për t’u rregulluar. Dëmi i shkaktuar është tepër i madh. Ndërkohë që një pjesë e të pandehurve përfitoi edhe nga shkalla e dytë e gjyqësorit, që i zbuti në një farë mase dënimet e dhëna nga shkalla e parë. Ndërkaq, edhe Edmond Apostoli, një prej 8 të arrestuarve të operacionit trekëndëshi i ka kërkuar gjykatës së Tiranës që të rrëzojë vendimin e Prokurorisë, për mbajtjen e tij në burg. Mësohet se kërkesa e Apostolit për lirim është depozituar në gjykatë në datën 26 qershor të këtij viti, ku pritet që në ditët në vazhdim gjyqtari Artan Broci, të japë verdiktin e gjykatës, nëse do të lirojë të sipërcituarin apo do rrëzojë kërkesën e tij. 49-vjeçari Edmond Apostoli është arrestuar nga policia e Tiranës më 7 korrik të vitit të kaluar, ku dyshohet se së bashku me 7 persona të tjerë ai kryente falsifikimin e dokumenteve të ndryshme. Grupi kriminal kishte mundur të siguronte një makineri tepër të sofistikuar me anën e të cilës falsifikonin, patentat e reja, vërtetime të ndryshme si dhe lejet e qëndrimit në shtetin italian.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›