Të ardhurat e bashkive u rritën me 82%, 34,8 miliardë lekë në 6-mujorin e parë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, bashkitë kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të të ardhurave, duke krijuar më shumë mundësi për investime dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Ministri i Financave, Petrit Malaj publikoi sot statistikat zyrtare, duke e cilësuar këtë si një tregues të forcimit të financave vendore dhe rritjes së kapaciteteve të pushtetit lokal.
Sipas ministrit, të ardhurat vendore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 arritën në 34,8 miliardë lekë, ose 15,7 miliardë lekë më shumë me një rritje 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa shpenzimet vendore arritën në 42,2 miliardë lekë me rritje 16% ose 5,7 miliardë lekë më shumë në 6-mujorin e parë 2025.
Sipas Malajt, rritje pozitive ka regjistruar edhe taksa mbi pasurinë, nga e cila janë arkëtuar 5,9 miliardë lekë, ose 25% më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Bashkitë me rritjen më të lartë janë: Himara me 276%; Cërriku me 262%, Vlora me 188%; Patosi 168%; Elbasani me 53% dhe Tirana me rritje 23%.
Ministri theksoi se rritja e të ardhurave u krijon bashkive më shumë mundësi për të financuar investime dhe për të ofruar shërbime publike më cilësore për qytetarët.
Po ashtu, ai e vlerësoi këtë ecuri si një tregues të përmirësimit të administrimit fiskal vendor dhe të konsolidimit të kapaciteteve financiare të pushtetit lokal, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve.

/e.xh/j.p/r.e/