Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale rritje me 24%

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) vijojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme, duke reflektuar efektet pozitive të formalizimit të ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit tatimor në vend.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), gjatë muajit mars, të ardhurat nga TAP arritën në 8.82 miliardë lekë, duke tejkaluar planin e parashikuar me 24%.
Rezultati i arritur lidhet ngushtë me rritjen e deklarimit real të të ardhurave nga individët, si dhe me forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit fiskal.
Autoritetet vlerësojnë se ky zhvillim përbën një hap konkret drejt formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjerimin e bazës tatimore.
Administrata tatimore bën të ditur se do të vijojë me zbatimin e reformave dhe masave për rritjen e transparencës, lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit dhe forcimin e luftës kundër informalitetit.

/a.f/