E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të arratisurit e Trikalas kanë grabitur edhe shtëpinë e Argita Berishës

Shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas kanë arritur të grabisin madje edhe shtëpinë e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, në Tiranë.

Këtë lajm e boton sot gazeta greke Real News, e cila iu referohet të dhënave të policisë shqiptare.

Incidenti i pabesueshëm ka ndodhur në 22 tetor 2005 dhe sipas gazetës, Argita Berisha duket se ka qenë me fat që u kthye në shtëpi, pasi grabitësit ishin larguar.

Gazeta shkruan se shtëpia e Argita Berishës është një shtëpi e vendosur në një nga zonat më të shtrenjta dhe më të ruajtura në Tiranë, por pavarësisht nga kjo, grabitësit nuk kanë ngurruar. Ata kanë hyrë në shtëpi nga ana e pasme, dhe brenda disa minutash kanë marrë në qetësi bizhuteri me vlerë të madhe dhe një sasi parash.

Policia pas hetimit gjeti në vendngjarje gjurmët e gishtave të dy personave, njëri prej të cilëve ishte Fatos Sula, aktualisht i arratisur nga burgu i Trikalas dhe që konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Marian Kolës.

Lajmi në fjalë u mbajt i fshehtë në Shqipëri, por gazeta e zbuloi kohët e fundit, teksa policia shqiptare dhe ajo greke kanë nisur bashkëpunim të ngushtë për kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas. "Fatos Sula, foto e publikuar nga policia greke"

Sipas departamentit të sigurisë së Atikës, Fatos Sula është kreu i njërës nga degët e bandës së Marian Kolës, në të cilën bënte pjesë edhe i vrari Flamur Lika. 

Kjo bandë është përgjegjëse për 30 plaçkitje të armatosura në Korfuz, në Igumenicë dhe zona të tjera të Greqisë Perëndimore. Sipas policisë, pas arratisjes nga burgjet e Trikalas, Sula është ndarë nga grupi dhe ka dalë nga Greqia. Mendohet se ai është larguar drejt Kosovës.

Ndërkohë, dhjetëra policë po krehin zonat malore të Epirit për të identifikuar të arratisurit të cilët arritën të shpëtojnë nga postblloqet policore me tre makina dhe një motocikletë të vjedhur. Policia beson se të kërkuarit janë ende në Greqi, por ende nuk po bën të mundur kapjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›