Të arratisurit nga Trikala, grabitës të shtëpisë së vajzës së Sali Berishës

Të arratisurit shqiptarë nga burgu grek në Trikala kanë grabitur edhe shtëpinë e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, Argita Maltezit në Tiranë. Këtë lajm e solli të dielën gazeta greke Real News, e cila iu referohet të dhënave të policisë shqiptare, shkruan BW. Incidenti i pabesueshëm ka ndodhur më 22 tetor 2005 dhe, sipas gazetës, Argita Maltezi duket se ka qenë me fat që është kthyer në shtëpi pasi grabitësit ishin larguar nga aty.
Gazeta shkruan se shtëpia e Argita Maltezit është një shtëpi e vendosur në një nga zonat më të shtrenjta dhe më të ruajtura në Tiranë, por pavarësisht kësaj, grabitësit nuk kishin ngurruar. Ata kishin hyrë në shtëpi nga ana e pasme, dhe brenda disa minutash kishin marrë në qetësi bizhuteri me vlerë të madhe dhe një sasi parash.
Policia pas hetimit ka gjetur në vendngjarje gjurmët e gishtave të dy personave, njëri prej të cilëve ishte Fatos Sula, aktualisht i arratisur nga burgu i Trikalas, dhe që konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Marian Kolës.
Lajmi në fjalë u mbajt i fshehtë në Shqipëri, por gazeta e zbuloi kohët e fundit që policia shqiptare dhe ajo greke kanë nisur bashkëpunim të ngushtë për kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas.
Sipas departamentit të sigurisë së Atikës, të cilit i referohet gazeta, Fatos Sula është kreu i njërës nga degët e bandës së Marian Kolës, në të cilën bënte pjesë edhe i vrari Flamur Lika. Kjo bandë është përgjegjëse për 30 plaçkitje të armatosura në Korfuz, në Igumenicë dhe zona të tjera të Greqisë Perëndimore dhe sipas policisë, pas arratisjes nga burgjet e Trikalas, Sula është ndarë nga grupi dhe ka dalë nga Greqia. Mendohet se ai është larguar drejt Kosovës.
Ndërkohë, dhjetëra policë po krehin zonat malore të Epirit për të identifikuar ndoshta dy të arratisur, të cilët arritën të shpëtojnë nga postblloqet policore. Policia beson se të kërkuarit janë ende në Greqi.
Një tjetër gazetë greke shkruan sot se ndjekja policore për shqiptarët e arratisur i kushtoi Greqisë më shumë se 1 milion euro. “Më shumë se 1 milion euro ka kushtuar operacioni me qëllim kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas për policinë greke”, shkruan gazeta Protothema.
Sipas kësaj gazete, që nga mbrëmja e 22 marsit, kur ata u arratisën nga burgu i Trikalas, dhe përshkuan gati gjysmën e Greqisë, policia greke ka vënë në lëvizje edhe dy helikopterë, gjashtë motoskafë, dhjetëra komando EKAM, dy skuadra zhytësish, gjurmues të ushtrisë dhe disa qindra policë nga zonat ku kanë kaluar shqiptarët, operacion që është jashtëzakonisht i kushtueshëm.
Gazeta shton se Marian Kola dhe bashkëpunëtorët e tij mund të jenë të trajnuar dhe të rrezikshëm, por kjo nuk arsyeton faktin që për katër muaj e gjysmë policia greke iu është vënë pas pa mundur t’i kapë./Indeksonline./