E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bindur në fitore

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet për raundin e tretë të zgjedhjeve në Komunën e Gjilanit, të cilat do të mbahen më 14 mars.

Drejtuesit e Degës së PDK’së në Gjilan shprehen të bindur në fitoren për herë të tretë të kandidatit të tyre Qemajl Mustafa.

Përfaqësues të Shtabit Zgjedhor thanë se do të vazhdojnë takimet mobilizuese në frymën e fituesit duke sjellë tek qytetarët argumentet dhe frymën që PDK në Gjilan edhe në këto zgjedhje ta konfirmoj fitoren sikundër dhe në dy rrethet e para.

Kryetari i Degës së PDK’së, Izmi Zeka, njëherësh Shef i Shtabit Zgjedhor, tha se në takimin me strukturat e degës u konfirmua se pavarësisht vendimit politik të KQZ’së, qytetarët e Gjilanit të vendosur do të dalin në garën e balotazhit për kryetar komune dhe se kandidati Qemajl Mustafa, bindshëm do të jetë fitues.

“Strukturat e degës së PDK’së kanë konstatuar se ndërhyrja e presidentit të shtetit Fatmir Sejdiu dhe mekanizmave të tjerë që kontrollohen nga LDK’ja në këtë proces, ishte i dëmshëm për vetë institucionin e tij, drejtësinë në Kosovë dhe proceset demokratike në përgjithësi në Kosovë”, tha ai.

Por, Zeka tha se vetë qytetarët me vullnetin e tyre do t’i ndëshkojnë dhe do ta mbyllin historinë e intrigave dhe do të dalë sheshazi edhe një herë se qytetarët e Gjilanit e duan qeverisjen nga PDK dhe kandidati i saj Qemajl Mustafa.

“Çfarëdo tentative tjetër për të manipuluar me votat e Gjilanit, nuk do të ketë asnjë efekt, ngase do të jemi të pa kompromis ndaj gjithçkaje që bie ndesh me vullnetin e qytetarëve të komunës së Gjilanit. Votat do të numërohen një nga një në mbrëmjen e 14 marsit në Gjilan, ku për herë të tretë do të fitojë PDK dhe kandidati i saj Qemajl Mustafa”.

Sipas Zekës, fitorja e tretë e PDK’së do t’i dekonspiroj skenarët e kundër kandidatit Fatmir Rexhepit (LDK) dhe do të tregojë se hajnia banon në mendjen e tij dhe kampin e tij por siç tha ai, asnjëherë në PDK dhe te qytetarët e Gjilanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›