Të buzëqeshur krahë njëri-tjetrit, Rama, Abazoviç dhe Ali Ahmeti në Ohër: Vëllezër të hapur

Samiti i “Open Balkan” në Ohër ka bërë bashkë tre liderë shqiptarë, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kreun e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti. Në një foto të shpërndarë nga Rama, ku shfaqen të tre krah njëri-tjetrit të buzëqeshur, kryeministri shkruan “Vëllezër të hapur”, duke treguar mbështetjen për nismën e Ballkanit të Hapur.
“OPEN BROTHERS, Ohër”, shkruan Rama.
Këtë të mërkurë u zhvillua në Ohër samiti i “Open Balkan” ku u firmosën marrëveshje të rëndësishme që lidhen me turizmin dhe arsimin, ku pjesëmarrës për herë të parë ishin dhe liderë nga Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Në samit një thirrje nuk mungoi për Kosovën që të bëhet pjesë e ‘Open Balkan’, i vetmi vend i rajonit që nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj nisme. Mbështetja ndaj kësaj nisme u shpreh edhe nga SHBA dhe BE.
/rtsh.al/