Të dënuarit e 325 në "bashkëjetesë" me tre transvestitë

Tre tranvestitë po qëndrojnë prej disa kohësh në burgun 325 në kryeqytet. Gardianët: Kryejnë marrëdhënie me të dënuarit e tjerë. Familjarët e të burgosurve: Kemi frikë mos u ngjisin sëmundje
TIRANË- Të dënuarit e izoluar në institucionin e burgut "Ali Demi" i njohur ndryshe edhe si burgu 325, prej rreth dy muajsh "bashkëjetojnë" me tre transvestitët e dënuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Ky shqetësim prej ditësh është ngritur nga familjarët e disa të dënuarve që vuajnë ditët e fundit të dënimit të tyre në këtë institucion të sigurisë së zakonshme, nga vetë punonjësit e administratës civile dhe nga efektivëve të policisë së këtij burgu.
Sipas këtyre të fundit, tre transvestitët F. M, I.M dhe T.L prej rreth dy muajsh janë izoluar në burgun 325, pas dënimit të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit për kryerjen veprave penale të vjedhjes; veprave të turpshme si dhe marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale në vende publike.
Vendosja e tyre në burgun 325 ka sjellë probleme edhe për drejtuesit e këtij institucioni, që sipas tyre, janë të detyruar t'i mbajnë nën kontroll gjithë kohës për shkak të prirjeve të tyre seksuale.
"Pas marrjes së dënimit, tre personat në fjalë janë sjellë në institucionin e burgut 325 ku me gjithë vështirësitë e hasura kemi mundur që të tre të dënuarit t'i vendosim në një dhomë të vetme duke i mbajtur nën kontroll gjithë kohës për të mos krijuar kontakte me të dënuarit e tjerë që ndodhen në këtë institucion"- u shpreh drejtoresha e burgut 325 Irena Çelaj.
Sipas saj, edhe për institucionin e vuajtjes së dënimit ku ajo drejton, sjelljet dhe prirjet e tyre seksuale janë shqetësuese, pasi ata duhet të izolohen në një ambient të mbyllur dhe jo në ambient të hapur siç është burgu 325.
"Në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve po tentojmë t'i transferojmë ata në një ambient të mbyllur, por të sigurisë së zakonshëm, pasi edhe vendimi i gjykatës urdhëron që ata të mbahen në institucione të sigurisë së zakonshëm"- tha drejtoresha Çelaj për "Shekullin".
Ndërkohë, familjarët e disa të dënuarve dhe vetë efektivë të grupeve të gatshme të këtij institucioni konfirmuan për "Shekullin" se shpesh herë këta transvestitë kapen në flagrancë duke kryer marrëdhënie homoseksuale me të dënuarit që ndodhen në këtë institucion.
"Jemi të shqetësuar për fëmijët tanë, pasi në burgun 325 janë vendosur tre transvestitët, të cilët po kryejnë marrëdhënie homoseksuale me të dënuarit herë pas here dhe kemi frikën se do të marrin ndonjë sëmundje ngjitëse fëmijët tanë"- shprehen familjarët e një të dënuari për vjedhje që i kanë mbetur edhe katër muaj qëndrim në këtë institucion. Ndërkaq, këto veprime të transvestitëve konfirmohen edhe nga efektivët e policisë së këtij institucioni.
"Që kur në këtë institucion riedukimi janë sjellë tre tranvestitët, nga ana jonë janë shpejtuar kontrollet, pasi herë pas here këta të dënuar kapen në flagrancë duke ushtruar marrëdhënie homoseksuale apo seks oral me të dënuarit e tjerë"- thonë efektivë të këtij institucioni.
Sipas tyre, për çdo marrëdhënie orale apo homoseksuale të dënuarit i "paguajnë" tre transvestitëve me paketa cigaresh dhe në ndonjë rast edhe me ushqime të sjella nga familjarët e të dënuarve.
Mësohet se përvç kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale, tre "transvestitët" bëjnë punët e pastrimit të dhomave të djemve dhe larjen e rrobave të tyre kundrejt shpërblimit me cigare ose ushqime.
Por një gjë e tillë nuk pranohet nga drejtoresha e këtij institucioni Irena Çelaj.
"Që nga vendosja e tyre në burgun 325 nuk kemi pasur asnjë rast, kur efektivët e policisë kanë raportuar për ndonjë akt të tillë brenda ambienteve të burgut. Ata gjatë gjithë kohës janë nën kontroll nga policia, kontroll të cilin e kanë kundërshtuar duke tentuar disa herë të hanë brisqe në shenjë indinjate për trajtimin ndryshe nga të tjerët.
Ata kanë prirje të tilla seksuale, por, në asnjë rast deri më tani ne nuk kemi marrë ndonjë raportim nga efektivët e policisë për një sjellje të tillë të kryerjes së akteve homoseksuale brenda burgut"- tha Çelaj për "Shekullin". Gjithashtu, po këta burime konfirmuan se tre "transvestitët" gjatë gjithë kohës janë të veshura me rroba femrash, me fytyrë të lyer po si femrat dhe me flokë të gjata.