E Diel, 1 Nëntor 2026

Një furgon bie në lumë, katër të zhdukur

GRAMSH/ Gjatë natës duke gdhirë e diel një furgon mallrash me katër pasagjerë ka përfunduar në lumin Devoll

Një litar i gjetur në vendngjarje ka ngritur dyshimet se ndonjëri nga të rinjtë mund të ketë shpëtuar


GRAMSH - Një aksident mjaft i rëndë automobilistik ka ndodhur gjatë natës së kaluar në aksin rrugor Korçë-Gramsh në vendin e quajtur Mollëgrabovë. Furgoni me targë KO 1893 B I drejtuar nga Ilirian Balla, 32 vjeç, ka dalë nga rruga dhe pasi ka rrëshqitur dhjetëra metra në humnerë ka rënë në ujërat e lumtit Devoll.


Si pasojë e këtij aksidenti mendohet se kanë humbur jetën shtetasit Ilirian Balla, 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç, Behar Senkollari, 18 vjeç dhe Elis Sogani, 32 vjeç, të katër me banim në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat të Gramshit.


Furgoni i mallrave udhëtonte nga fshati Bratilë në drejtim të Moglicës së Korcës Aksidenti është konstatuar rastësisht dje rreth orës 09:00 të mëngjesit nga banorë të rastësishëm, të cilët kanë parë furgonin që ndodhej në lumë. Më pas në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, zjarrfikëset, forcat e RENEA-s dhe një helikopter i Minitrisë së Brendshme. Për gjetjen e trupave janë angazhuar edhe banorë të zones, si dhe forca të ushtrisë.


Gjatë gjithë ditës kanë vazhduar kërkimet përgjatë lumit Devoll dhe janë ndërprerë vetëm në mbrëmje për shkak të errësirës. Sipas ekspertëve, shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë humbja e kontrolit të automjetit nga drejtuesi i tij për shkak të terrenit të vështirë.


Sipas banorëve të zones, të katër të zhdukurit kanë qenë në një lokal deri në orën 5 të pasdites e më pas janë nisur për në drejtim të Korçës. Një litar është gjetur në vendngjarje, ndërkohë që një nga telefonat ka rënë deri në orën 4:00 të mëngjesit. Ende nuk dihet nëse kanë vdekur të katër këta shtetas apo janë larguar në drejtim të paditur, pasi deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre me përjashtim të furgonit që është parë në mëngjes në lumë.


Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur familjarët dhe shumë banorë të zones, ndër të cilët edhe pronari i mjetit. Fatos Shkira tregon se mjetin ia kishte dhënë njërit prej djemve për të transportuar disa mallra drejt Moglicës në Korçë. Ai thotë se 4 djemtë kanë qëndruar në lokalin e fshatit deri rreth orës 18:00, ku kanë konsumuar dhe alkool, dhe më pas janë nisur nga Bratila drejt Korçës.


Më pas ai tregon se furgonin ia ka dhënë një ndihmësit të tij, Ilirian Ballës, i cili do të transportonte për në drejtim të Korçës mallra dhe ushqim për bagëtitë. Fatkeqësia mendohet të ketë ndodhur rreth orës 18:00. Dyshohet se djemtë kanë tejkaluar alkoolin gjë që mund të ketë ndikuar në aksident. Sipas pronarit të mjetit, telefoni i një prej djemve ka rënë deri rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe pranë vendit të ngjarjes është gjetur edhe një litar.


Familjarët dhe banorët e zonës nisur nga këto dy elemente shpresojnë që djemtë të kenë dalë nga uji. Sipas tyre, ata mund të kenë dalë gjatë natës e të jenë larguar. Shpresat e tyre mbeten ende, pasi ekipet e kërkimit nuk kanë nxjerrë ende asnjë trup nga uji i Devollit.


Këtë gjë e përforcon pronari i mjetit, Shkira. "Sapo mësuam për ngjarjen, erdha me shpejtësi për të parë se çfarë kishte ndodhur. Furgoni është parë në ujë në orët e para të mëngjesit. Më pas, edhe ai është zhdukur nga rryma. Kontrollova vendin dhe gjeta litarin e makinës së lidhur në një gur. Unë mendoj se furgoni nuk ka rënë menjëherë në lumë.


Ai ka rrëshqitur e më pas ata kanë tentuar ta lidhin që të mos binte në lumë. Madje e kanë tërhequr, por s'ia kanë dalë dot. Pastaj se di ç'mund të ketë ndodhur. Mendoj se mund të jenë larguar nga frika në drejtim të paditur. Gjatë natës i kam rënë celularit. Celulari bënte zile deri në orën 4 të mëngjesit. Më pas zilja nuk binte".


Operacioni i shpëtimit


Sipas të dhënave në vendngjarje, furgoni mendohet se ka rënë në lumë rreth 1 km brenda territorit të Korçës, por më pas rryma e ka marrë atë me vete duke e çuar në zonën që mbulon qarku Elbasan.


Në vendngjarje kanë qenë ekspertët nga Elbasani, pasi furgoni është parë në lumë në territorin e Gramshit. Veç efektivave blu, kanë mbërritur edhe zjarrfikëset, forcat e RENEA-s dhe një helikopter i Minitrisë së Brendshme. Për gjetjen e trupave janë angazhuar edhe banorë të zones, si dhe forca të ushtrisë.


Gjatë gjithë ditës kanë vazhduar kërkimet përgjatë lumit Devoll dhe janë ndërprerë në mbrëmje për shkak të errësirës. Sipas ekspertëve, shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë humbja e kontrollit të automjetit nga drejtuesi i tij për shkak të terrenit të vështirë.


Furgoni i mallrave është gjetur rreth 1 km larg vendit ku ka dalë nga rruga dhe mendohet se uji i rrëmbyeshëm e ka tërhequr deri aty. Edhe pse janë bërë kërkime, deri tani nuk ka asnjë shenjë për trupat e 4 të rinjve. Kjo i ka shtuar shpresat e familjarëve për shpëtimin e njërit prej djemve, por ekspertët thonë se për shkak të prurjeve, uji mund t'i ketë tërhequr trupat të paktën 3 km. Megjithatë, kërkimet pritet të rikthehen të hënën në mëngjes ku forcat e RENEA do të zgjerojnë rrezen e kërkimit në ujë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›