E Diel, 1 Nëntor 2026

Të djathtët denoncojnë socialistët, për ndërhyrje në KZAZ e Shkodrës

Partia Demokratike, në Shkodër ditën e djeshme ka denoncuar në Prokurori kandidatët socialistë, Tom Doshin dhe Ilir Beqën nisur nga ndërhyrja që këta të fundit sipas PD kanë bërë pranë KZAZ-së të këtij qarku. Partia Demokratike Shkodër, dencon përpjekjet e dhunshme dhe të kundra-ligjshme të kandidatëve të Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe Ilir Beqja, të cilët që në fillim të procesit të numërimit të votave po ndërhyjnë në ambientet e numërimit të votave duke penguar në nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Qarkun e Shkodrës, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj Partie. Ndër të tjera, PD e Shkodrës duke iu drejtuar këtyre përfaqësuesve të Partisë Socialiste, ka bërë të ditur se këto ndërhyrje në vend numërimin e votave përbën shkelje të ligjit dhe të kodit zgjedhor që ndëshkohet penalisht. Njëkohësisht, për këtë aktivitet të kundraligjshëm të kandidatëve të PS-së Shkodër, zëdhënësja e PD-së të Shkodrës,  Senada Reçi theksoi se  është vënë në dijeni OSBE, ODHIR si dhe vëzhguesit e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po për të njëjtin shqetësim, ka dal në një konferencë për shtyp edhe zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike, Majlinda Bregu e cila i kërkoi kreut të së majtës, Edi Rama që të urdhërojë Tom Doshin të zhbllokojë procesin e numërimit të votave në KZAZ-në e Bushatit. Jam këtu për të ripërsëritur mesazhin që e kam dhënë dhe para disa orësh ndaj kryetarit të PS-së Edi Rama, të urdhërojë njerëzit e tij në Bushat, të urdhërojë kandidatin e tij Tom Doshi të mos bllokojë procesin e numërimit të votave në Bushat, nënvizoi ai. Sipas Bregut, KQZ-ja kishte mëse tre orë e gjysmë që kishte emëruar kryetarin e ri të KZAZ-së, institucionit që do të përgjigjet për numërimin e votave në Bushat, Ylber Kolë Tahirin, ku veçoi se ai mbahej bllokuar nga Tom Doshi për të marrë detyrën e tij funksionale për Bushatin, të caktuar nga KQZ-ja. As Tom Doshi, dhe askush tjetër nuk mund të dalë mbi ligjin, nuk mund të shkelë standardet e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ndaj, dhe njëherë u bëj thirrje të zhbllokojnë procesin e numërimit të votave në KZAZ-në e Bushatit dhe zotëria i cili ka marrë detyrën dhe mandatin nga KQZ si kryetar i KZAZ i caktuar nga PS, të paraqitet dhe të mos vonohet më procesi i numërimit, i cili ka 3 orë e gjysmë që mbahet peng nga Tom Doshi, vijoi Bregu.

*********************************************************
Islami: Në Shkodër është dëmtuar procesi zgjedhor
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami ka ngritur shqetësimin për dëmtimin serioz të procesit zgjedhor, nga ato që po ndodhin pasditen e djeshme në Shkodër. Nëpërmjet një deklarate për shtyp ai theksoi se gjatë numërimit të votave në këtë qark, ka kuti që dalin 300 me 0, apo me 1 votë të vetme për Partisë Socialiste. Ka shumë votues që nuk kanë shënuar firmën dhe numrin e kartës së identitetit apo pasaportës, por thjesht kanë shënuar me kartë, me pasaportë. Të gjitha këto me sa duket tregojnë qartë se përse ka qenë pjesëmarrja kaq e lartë në Shkodër, nënvizoi ai. Nisur nga këto shqetësime, Islami i ka bërë thirrje komisionarëve për ruajtjen e qetësisë, duke veçuar të gjithë atë të PS dhe të PD, që të zbatojnë ligjin për të realizuar një proces normal dhe për të mos dëmtuar procesin e zgjedhjeve në tërësi. Ndërkohë që sipas tij, në Shkodër ky proces është i dëmtuar rëndë, ai shtoi se PS do të kontestojë ligjërisht këtë proces, por me sa duket do të jetë e vështirë, që kjo që po ndodh në Shkodër të mos e dëmtojë rëndë procesin zgjedhor në tërësi. Të gjithë vëzhguesit tanë dhe komisionerët, në zbatim të ligjit janë munduar të realizojnë një proces ligjor, por forca e kartonit ka bërë që të gjitha këto manipulime të vulosen nga komisionet e numërimit të votave, përfundoi Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›