Dështojnë zgjedhjet e 28 Qershorit, shtohen manipulimet e votave në terren

Edhe këto zgjedhje ashtu si të gjitha zgjedhjet pluraliste shqiptare gjatë 20 viteve të fundit kanë pasqyruar hapur tentativat manipuluese të partive pirr të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Kuti të hapura, qindra vota më tepër nga procesverbalet, vota të devijuara apo dhe vota të një formacioni politik brenda një kutie ka qenë tendenca e këtyre zgjedhjeve.
Teknika manipuluese e politikës shqiptare duket se ka vazhduar me të njëjtin intensitet. Kështu në kutitë e Bushatit shikohen qindra vota të një formacioni politik pa pasur asnjë subjekt tjetër të përfaqësuar që të kujton kohën e monizmit, apo votat e vjedhura të partive të vogla nga procesverbalet e komisionerëve të dy partive të mëdha, cenuan zgjedhjet e lira edhe këtë radhë, Tashmë shqiptarët kanë krijuar bindjen se vota e tyre është e pavlefshme për arsye se janë politikanët që vendosin se ku do të shkojë vota e tyre pavarësisht se ku është vendosur kryqi i preferencës së votuesit. Pavarësisht se kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në Shqipëri janë arritur standardet zgjedhore në këto zgjedhje elektorale, por në terren ndodh krejt e kundërta, ku në shumë KZAZ numëruesit e votave kanë ndaluar procesin e numërimit, shkak për këtë janë bërë manipulimet e shumta që janë bërë në disa qendra. Në shumë qendra të vendit numri i fletëve të votimit ka dalë më i lartë se numri i votuesve në atë qendër, ndërsa në disa të tjera numri i votuesve ka dalë më i lartë se numri i fletëve të votimit. Ndërsa kryeministri Berisha njëkohësisht dhe lideri i Partisë Demokratike, i vlerësonte këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme dhe se procesi i numërimit të votave është duke ecur normalisht, në komunën e Paskuqanit është ndalur procesi i numërimit të votave. Në komunën e Paskuqanit procesi i numërimit të votave u ndërpre në dy qendra, në njërën prej të cilave u mendua se mungonte një numër i caktuar fletësh votimi. Një komisionere socialiste në zonës 2042, deklaroi se në këtë KZAZ janë plot 302 flete që nuk figurojnë, nga 2166 fletë që janë në procesverbalin e bazës materiale. Është një numër i madh fletësh që nuk figurojnë krahasuar me numrin e paraqitur në procesverbal. Për këtë arsye kemi ndërprerë procesin e numërimit dhe jemi në pritje të vendimit të KQZ-së, ka deklaruar komisionerja e Partisë Socialiste. Ndërsa ka theksuar se procesi është ndaluar për shkak të dhunës verbale që është ushtruar mbi komisionerët socialistë nga ana e sekretarit të komisionit i cili i përket Partisë Demokratike. Ka pasur dhunë verbale të ushtruar mbi ne nga komisionerët demokratë. Unë ndihem e kërcënuar. Sekretari me kërcënon se do të më zëvendësojë, por unë i bëj thirrje se nuk ka arsye për ta bërë këtë, ka pohuar komisionerja socialiste. Gjithashtu për manipulim të votave janë ankuar vazhdimisht dhe krerët e partive të vogla të cilët janë shprehur se janë totalisht të zhgënjyer dhe të frikësuar nga mënyra se si po ju vidhen votat nga ana e demokratëve. Sipas tyre në ato qendra votimi ku ata kanë votuar familjarisht së bashku me familjet e tyre, forca e tyre politike rezulton të mos ketë marrë asnjë votë, dhe ata shprehen se ky është një manipulim i hapur dhe i turpshëm që po bëhet në këtë proces të numërimit të votave. Ndërsa në disa qendra numërimi të tjera si në KZAZ-në, që ndodhet në Kombinat në shkollën Myslim Keta, ku disa fletë votimi në të cilat votat kanë qenë për partitë e majta por kryesisht për Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë dalë si të pavlefshme për shkak se këto fletë votimi kanë patur vetëm njërën vulë dhe jo të dyja, ky lloj manipulimi është deklaruar edhe më parë nga partitë e majta për shkak të frikës që kishin, ndërsa u mohuan nga Partia Demokratike e cila i cilësoi si mashtrime sepse partitë e majta e dinin se do i humbnin këto zgjedhje. Gjithashtu po në këtë KZAZ në kutitë e votimit të cilat i përkisnin KQV 1718/1 rezultonte se numri i fletëve të votimit ishte më i madh se numri i votuesve që kishin marrë pjesë në zgjedhje në këtë qendër votimi. Ky ka qenë një ndër shkaqet kryesore të ndalimit të procesit të numërimit të votave në shumë qendra të vendit, sepse komisionerët e të dyja palëve kërkonin që tu hiqnin njërës forcë politike, vota të cilat ishin plus për një parti apo për partinë tjetër. Ky incident ka mbajtur për orë të tëra të bllokuar KZAZ-në, numër 50 në Kombinat, ku komisionerët e dy partive politike nxorën 57 vota më tepër nga sa kishte qenë numri i votuesve në komisionet qendrore vendore të KQV 1719 ku numri i votuesve kishte qenë 676 votues numri i fletëve të votimit në këtë qendër kishte dalë 733 votues, dhe pas këtij incidenti kishte filluar menjëherë grindja ndërmjet komisionerëve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Ndërsa e njëjta situatë është paraqitur edhe në Librazhd, ku në KZAZ në qendrën e Kulturës kanë rezultuar se kutitë e votimit të cilat kanë ardhur nga komuna Rrajcë kanë pasur brenda tyre më shumë fletë votimi se numri i votuesve që kishin marrë pjesë në këtë qendër votimi.