Të djathtët, dy hapa para, e majta një hap pas
Rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel në krahinat autonome të Galicisë dhe në Vendet Baske të bëra publike edhe zyrtarisht, rezultuan si një vlerësim për Mariano Rahoin e Partisë Popullore, që mori pushtetin në Galicia dhe Euskadi, dhe njëherazi një zmbrapsje e konsiderueshme elektorale për liderin e PSOE (socialistët-shën. im), Kryeministrin Hoze Luis Rodriguez Zapatero, i cili ka parë me sytë e tij se si dy nga objektivat politike në zgjedhje: sigurimi i mazhorancës në Galici dhe arritja e rezultateve të larta në Euskadi, përfunduan në një flluskë sapuni. Zgjedhjet e mbajtura në dy komunitetet autonome, që përbëjnë 10.7% të popullatës spanjolle dhe afro 11.5% të votuesve në rang vendi, zgjonin interesin publik për të ditur se çfarë do të ndodhte në ballafaqimin e parë me kutinë e votimit për më shumë se 4 milionë qytetarë, të cilët po përballen me një krizë të rëndë ekonomike. Por, fletët e votimit të së dielës, nuk treguan se thelbi i votuesve ishte ekonomia. Për më tepër, duket qartë se ishin bindjet politike ato që karakterizuan votimin dhe që ishin përcaktuese në rezultat.
I djathti Feiho, triumfuesi i madh
Alberto Nunjez Feiho, ishte një prej fitimtarëve të mëdhenj të natës së të dielës. Sfida e tij politike ishte vigane, duke fituar mundësinë të udhëheqë edhe i vetëm, si dhe të vërë nën fre të dy rivalët në garë, si PSOE-në, me të gjithë fuqitë që t'i ofron qenia në krye të qeverisë së Spanjës dhe nga ana tjetër me BNG-në që ka plane të qarta galegizmi (separatizmi-shën. im). Nisur prej këtej, gjithçka tregon qartë se Partia Popullore (qendra e djathtë spanjolle-shën. im) ka dalë pa lagur nga "çështjet e korrupsionit" me të cilat po përballen drejtues të lartë të kësaj partie në dyert e gjykatës, ndërsa në krahun tjetër socialistët dhe galegistët pësuan dëmtime të parikuperueshme, për shkak të gabimeve të pafalshme politike, etike dhe estetike të kryera nga secili prej dy drejtuesve të partive respektive, nga Emilio Perez Turinjo, dhe nga aleati i tij i qeverisë së Anko Kintanës. Të dy këta udhëheqës të rënë nga pushteti, si ai PSOE ashtu dhe ai i BNG-së, duhet të reflektojnë në mënyrë imediate, për paaftësinë e shfaqur për të frenuar dëmtimin e imazhit publik që ka prodhuar çështja e shpenzimeve marramendëse qeveritare, të trajtuara gjerësisht edhe në shtyp. Galicia i kthehet tashmë qeverisjes nga e djathta. E majta ka humbur mundësinë në këto katër vitet e fundit për të qenë e besueshme në projektin politik, mbështetur në idetë dhe modelin politik të Manual Fragasit. Është më se i nevojshëm një proces reflektimi te PSOE-ja dhe "Blloku" (BNG-shën. im), që t’i drejtohet dhe referohet më shumë thelbit sociologjik të popullit të Galicisë.
Gjendje “pati” te Paci i socialistëve
.
Nëse në Galici panorama politike shpërfaqet qartazi, në Vendet Baske, rezultatet e dala në orët e vona të natës së të dielës, hapin një gamë alternativash. Por, para së gjithash ka diçka thelbësore. Kandidati socialist, Paci Lopez, mund të aspirojë për të qenë kryetar i qeverisë baske, duke vënë në rrezik potencial vendin e Huan Hoze Ibareces. Ky do të ishte një zhvillim historik, qysh prej gati tri dekadash me qeveri të kryesuara nga PNV-ja, gjë që është e mundshme aritmetikisht. Kandidatit socialist do t’i nevojiteshin votat e PP-së (të djathtës-shën. im) dhe partisë së Roza Diezit, çka presupozon kthim në një situatë politike konfliktuale, model ky pak i këshillueshëm për një komunitet kompleks dhe gati eksplodues, për shkak të terrorizmit të ETA-s. Një tjetër mundësi është një qeveri transversale, me një tip akordi ndërmjet nacionalistëve separatistë dhe socialistëve, sigurisht me rënien e Ibareces. Gjithsesi, bëhet fjalë për një alternativë jo të konkretizuar.
Me vështrimin drejt sfidës së qershorit
Beteja mes PSOE-së (socialistëve) dhe PP-së (të djathtëve) mbetet ende në pozicionin pat (në tavolinë), pas zgjedhjeve të së dielës. Mariano Rahoi i Partisë Popullore, në supet e të cilit rëndojnë akuzat për skandalin e korrupsionit që supozohet të jenë kryer në partinë e kryesuar prej tij, ka marrë frymë lirisht pas fitores në Galici (vendlindja e tij) në fushatën e së cilës mori pjesë vetë personalisht deri në çastin e fundit. Por edhe Zapatero mund të luajë politikisht, me faktin se partia e tij ia doli mbanë që për herë të parë të arrijë një rezultat të tillë për qeverisjen në Euskadi. Kjo është, nga ana tjetër, një karamele me helm, pasi loja politike me aleancat mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë politikës spanjolle. PSOE-së tashmë po i vjen koka vërdallë, ngaqë pushteti ra në duart e të djathtës në Navarra. Tashmë do t’i duhet të luajë me mençuri të gjitha kartat e mundshme politike.
Gjithsesi, në çdo rast, do të ishte një shembull i mirëfilltë i provës së demokracisë, që Zapatero t’ia lërë nismën vetë socialistëve baskë, me qëllim që iniciativat e tij të mos shkaktojnë një shkatërrim potencial për PSOE-në.
Çfarëdo që të ndodhë, nga rezultatet e zgjedhjeve të së dielës mund të thuhet se shpatat e dyluftimit politik kanë mbetur të ngritura lart, deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që priten të mbahen në qershor. Zapatero do të shkojë në këtë sfidë elektorale, duke mbajtur mbi shpinë barrën e krizës së rëndë ekonomike, ndërsa Rahoi, në pritje të njohjes së brendisë së akuzës ende në formulim, ka dalë gjallë dhe në rritje nga ky takim elektoral.
Përgatiti në shqip: Zamir GJURGJI