Ruli: Konkurrenca në treg është rritur me hapa të mëdha
Tregu shqiptar është bërë konkurrent vitet e fundit falë edhe ushtrimit të aktivitetit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka tashmë 5 vite që është krijuar. Në tregun shqiptar ka më shumë operatorë që konkurrojnë mes tyre për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili mori pjesë dje në konferencën "Konkurrenca në ekonomitë e vogla dhe informale", organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ka deklaruar se qeveria shqiptare ka bërë hapa të mëdha për sa i përket procesit të rregullimit dhe hyrjes së operatorëve të rinj në treg, por edhe për sa i përket implementimit konsekuent të ndihmës shtetërore. Ministri i Ekonomisë theksoi se Autoriteti i sotëm i Konkurrencës po jep prova se nëpërmjet mekanizmave që ai ka në dispozicion, po ndikon gjithnjë e më shumë në eficencën ekonomike të tregjeve të produkteve dhe shërbimeve, në dobi të konsumatorit shqiptar. "Ndërhyrjet kanë sjellë hapjen e tregut, si dhe gjallërimin e konkurrencës dhe një përdorim më efiçent të parave të taksapaguesve dhe nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës përmes mekanizmave po ndikon gjithnjë e më shumë në ekzistencën e tregjeve produkteve dhe shërbimeve në vend në dobi të konsumatorëve shqiptarë", - theksoi kreu i METE-s. Duke vlerësuar punën e bërë në 5 vite nga Autoriteti i Konkurrencës, Ruli tha se në shumë raste ndërhyrjet e tij kanë dhënë efekte pozitive. Ai inkurajoi edhe ndërhyrjet e këtij autoriteti në tregje thelbësore, si atë të telefonisë fikse dhe asaj mobile, e prodhimit të bukës apo betonit. "Tregu shqiptar është veçanërisht i vogël dhe përqendrimet e aktiviteteve tregtare në duar të pak lojtarëve ndodhin mjaft lehtë, por kanë një ndikim mjaft të madh te konsumatori final apo qytetarët e këtij vendi, të cilët ashtu si edhe qytetarët evropianë kanë të drejtë për produkte në një treg konkurrent", - vijoi Ruli. Ai u shpreh se Shqipëria është sot një treg gjithnjë e më pak informal. Ndërsa shtoi se "rezultati është i dukshëm dhe shënon hyrjen e konsiderueshme të aktiviteteve ekonomike në zonat e formalitetit". Kreu i METE-s, në fjalën e tij nënvizoi se baza e ekonomisë shqiptare janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për të cilat po zbatohen projekte konkrete dhe po implementohet hap pas hapi karta evropiane për këto ndërmarrje. "Ne jemi të bindur se duke nxitur konkurrueshmërinë do të arrijmë rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës", - u shpreh ministri Ruli. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo (Lati), nga ana e saj theksoi se duke e konsideruar konkurrencën si një domosdoshmëri për të funksionuar tregu, tha se reagimi pozitiv ndaj kërkesave të konkurrencës dhe rritja e numrit të ankesave nga lojtarët e tregut, tregojnë se biznesi na konsideron partner. “Ashtu si edhe vetë ekonomia, ky autoritet ka përmirësuar gjithnjë e më tepër instrumentet e zbatimit të ligjit”, - nënvizoi Milo. Nga ana tjetër, ministri Ruli theksoi nevojën për të vepruar në koordinim të plotë mes qeverisë, Autoritetit të Konkurrencës dhe instrumenteve që ajo zotëron. “Ndërsa shpreh këto konsiderata, e kam shumë të qartë që “kultura e konkurrueshmërisë” është një proces i gjatë, i vështirë dhe jo një aksion i çastit. Ky proces kërkon ndryshimin e mentalitetit, kërkon vendosmëri nga ana juaj, por edhe mbështetje nga qeveria, mbështetje e cila nuk ka munguar këto vite të fundit. Prandaj sot, duke e mbyllur fjalën time, ju përgëzoj për arritjet dhe ju nxis të mbani ritmin e kënaqshëm në arritjen e objektivave tuaja të mëtejshme”, - tha Ruli.