Çekia, Hungaria dhe Polonia festojnë NATO-n në Tiranë
Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në NATO, Ambasadat e Çekisë, Polonisë dhe Hungarisë do të organizojnë në datën 12 mars në Tiranë 10-vjetorin e hyrjes së vendeve të tyre në NATO. Zyrat e shtypit pranë këtyre ambasadave kanë njoftuar se këto shtete të ish-Lindjes komuniste do të përkujtojnë këtë përvjetor me rëndësi në historinë e tyre. në datën 12 mars të vitit 1999, kur NATO bëri 50 vjet nga ekzistenca e saj, Polonia, Çekia dhe Hungaria u pranuan njëkohësisht në Aleancë. Të njëjtin fat do të ketë edhe Shqipëria në 60-vjetorin e NATO-s. Kështu ambasadorja çeke, Marketa Fialkova, në Tiranë, ambasadori i Hungarisë, Sandor Molnari dhe ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska, do të organizojnë një pritje për të përkujtuar 10-vjetorin e anëtarësimit. Pritja do të zhvillohet në ambasadën çeke dhe në të janë ftuar personalitete shqiptare nga të gjitha fushat. Kjo pritje bëhet edhe me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe për këtë do të mbajë fjalën e rastit në pritje Glori Hysi, këshilltari i Kryeministrit Berisha për NATO-n.