E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të djathtët fitojnë shumicën absolute

Hungari\ Vota e së dielës, protestë ndaj pushtetarëve dhe korrupsionit Fidesz, gati ndryshimet kushtetuese

Partia e djathtë opozitare hungareze, Fidesz, ka fituar dy të tretat e votave në zgjedhjet e përditshme të vendit, pas raundit të dytë të votimeve të djeshme. Partia e drejtuar nga ish-kryeministri Viktor Orban, ka siguruar shumicën e vendeve, sipas burimeve zyrtare të komisionit zgjedhor. Socialistët që duhet ta lenë pushtetin, lidershipi i të cilëve dha dorëheqje masive të dielën me daljen e rezultatit të pjesshëm të votimeve, kanë fituar 59 vende, por ia kanë dalë që të mbeten si forca e dytë politike në vend dhe të mos eklipsohet nga partia e së djathtës ekstreme, Jobbik. Kjo lëvizje, që njihet ndryshe edhe si Lëvizja për një Hungari më të mirë, ka fituar 47 vende në Parlament, ndërsa partia më e re e spektrit politik, LMP, ka fituar 16 vende. “Ne kemi parë një revolucion të vërtetë në kutitë e votimit”, ka deklaruar zoti Orban pas fitores së tij shumë të fuqishme, që i jep një mandat të fortë, i cili do t’i lejojë qeverisë së tij të miratojë ndryshime kushtetuese. “Hungaria sot ka përmbysur një regjim dhe ka themeluar një regjim të ri të bashkëpunimit kombëtar, në vend të një regjimi oligarkësh”, ka vazhduar fituesi i zgjedhjeve. Për hungarezët, kjo ka qenë një votë e nxitur më së shumti nga lodhja dhe pakënaqësitë e mëdha me nivelet e larta të korrupsionit dhe me mënyrën aspak të mirë të menaxhimit të krizës nga ana e qeverisë. Pikërisht kjo mënyrë e keqe bëri që Hungaria të pranonte kushtet e kredisë që mori nga FMN, të cilat ishin shumë të rënda për mirëqenien dhe standardin e hungarezëve. Fitimtari i zgjedhjeve ka deklaruar se do të krijojë rreth 1 milion vende pune gjatë 20 viteve të ardhshme. Ai ka kritikuar ndërkohë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar në lidhje me masat shtrënguese të cilat ua vuri hungarezëve në këmbim të kredisë, që në dukje e shpëtoi vendin nga kriza e thellë financiare në të cilin u zhyt në fillim të vitit 2008. Fituesi ka bërë të ditur se do të merret edhe me reforma të strukturimit ekonomik, si dhe do të krijojë një bashkëpunim shumë më të hapur dhe transparent me bizneset. Ai ka premtuar që t’u japë nënshtetësi hungareze edhe atyre që kanë origjinë hungareze në botë. Madje fjalën e tij të hapjes së fitores e nisi: “Hungarezë brenda dhe jashtë kufirit...”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›