E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalja nga Geto

Romët e Serbisë nuk u turpërohen barakave ku janë lindur, por konsiderojnë se ka ardhur koha që fëmijët e tyre të mos lindin më nëpër to, por të inkuadrohen në shoqëri. Kjo është porosia e dy bashkautorëve të filmit që flet për romët. Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 12:56

Në Novi Sad është shfaqur premiera e filmit dokumentar me titull simbolik “Dalja nga Geto”, që flet për të rinjtë e talentuar romë të cilët, falë këmbënguljes së tyre për të dalë nga ky qark vicioz, paragjykimet dhe mjerimi, ia dolën të jenë të suksesshëm.
Njëra nga autoret, Marija Aleksandrovic, thotë se romët mund të dalin nga varfëria, ndonëse kjo varet shumë nga vetë ata.
“Nëse ne, si romë, dëshirojmë të dalim nga rrethi vicioz i mjerimit dhe varfërisë, duhet që para së gjithash të besojmë në vetvete dhe ta synojmë këtë. Veç kësaj, personi që dëshiron të ketë sukses, duhet të njoh talentin e vetë dhe ta dëshirojë këtë me zemër. Por, edhe të ketë një mbështetje të madhe të familjes”, porosit Aleksandrovic.

Një imazh më i bukur i romëve

Autorja tjetër e filmit, Jelena Jovanovic, sqaron se dëshira e saj ishte që të prezantojë një imazh më të bukur për bashkësinë rome, pra për vetë romët dhe joromët që janë të rrethuar me stereotipe të përditshme për ta, e që ka pasoja të shumta për bashkëjetesë.
Kryetari i Këshillit për Integrimin e romëve në Vojvodinë, Petar Novica Nikolic, ka ftuar bashkëkombësit e tij që të shfrytëzojnë rastin që u jepet nga institucionet vojvodinase për stimulimin e arsimimit të romëve, dhe përkujton se në Universitetin e Novi Sadit studiojnë 300 studentë romë.
“Mos pritni që do të keni jetë më kualitative nëse fëmijët tuaj nuk i regjistroni në shkolla dhe nuk i përfshini në procesin shkollor. Arsyetimi se jemi të varfër dhe s’kemi kushte që t’i shkollojmë fëmijët , nuk pinë më ujë, siç do të thonin të rinjtë. Sepse, pikërisht fakti që jemi të varfër duhet të jetë motivi më i madh”, thotë ai.

I lindur në barakë, por jo edhe fëmijët e tij

Ai pohon se ka lindur në një barakë, nga e cila nuk turpërohet, megjithëse thotë se baraka duhet mbetur në të kaluarën.
“Geto është e kaluara jonë, për dikë ndoshta edhe e tashmja, por nuk guxojmë të lejojmë që ajo të jetë edhe ardhmja . Unë jam krenar dhe i lumtur që kam lindur në një barakë, në një mëhallë në Tovarisevo, por atje nuk jetojnë më fëmijët e mi. Ata po shkollohen dhe po arsimohen. Un’ s’kam turp nga kasollja ime, por ajo s’guxon të pjet as e tashmja as e ardhmja e fëmijëve tanë”, porosit Nikolic.
Autoret e filmit, Marija Aleksandrovic e Jelena Jovanovic janë anëtare të OJQ’së Hulumtuesit e Romëve, nga Zabalj. Para filmit “Dalja nga Geto” ato xhiruan edhe dokumentarët “Romët në Srem – dikur dhe sot”, i cili flet për arsimimin e romëve, traditën dhe kulturën e tyre në atë pjesë të Vojvodinës, dhe filmin “Romet e Suksesshme në Vojvodinë”.
Xhirimi i filmit “Dalja nga Geto” është ndihmuar nga Programi për Art dhe Kulturë i Institutit për Shoqëri të Hapur, nga Budapesti, dhe nga Qeveria e Vojvodinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›