E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të drejtat e Ballaurit dhe të drejtat e viktimave

Tema

Elsa Ballauri ka reaguar dje në gazetën Panorama ndaj një editoriali të gazetës Tema rreth takimit të një forumi elektoral të Partisë Demokratike, me kandidatin për kryetar bashkie Lulëzim Basha. Siç mund të lexohet ende online, editoriali nuk etiketon dhe as fyen asnjë nëpunës, intelektual apo ekspert që merr pjesë në atë takim. Thjesht përpiqet të sqarojë se bëhet fjalë për një forume elektoral të Partisë Demokratike dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Në shkrim vërtet është përmendur pak më shumë zonja Ballauri, por jo për shkak të rëndësisë së saj, por për shkak të asaj që ne vazhdojmë ta quajmë të rëndë, dhe që ka të bëjë me vrasjen e katër qytetarëve në një protestë politike, vrasje për të cilën është përgjegjës direkt ish Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha.

Tani ne e kuptojmë që e kemi tepruar duke e quajtur zonjën Ballauri si veprimtare të të drejtave të njeriut, pasi mendonim se ishte ende e tillë. Nga shkrimi i djeshëm u sqaruam se ajo kishte shkuar aty jo si veprimtare e të drejtave të njeriut. Pas kësaj ne jemi të pafuqishëm ta hetojmë se çfarë është tjetër kjo zonjë po qe se nuk është veprimtare e të drejtave të njeriut, për qendrën e së cilës dhjetëra donatorë kanë harxhuar miliona dollarë.

Po ashtu e kuptojmë se e kemi tepruar që kemi tentuar ta përfytyrojmë si një veprimtare aktive e të drejtave të njeriut që shfrytëzon rastin për të gjetur një përgjegjës për një masakër me katër qytetarë të vrarë dhe e vë atë me shpatulla prej muri. Nuk e dinim që zonja Ballauri ka hequr dorë nga kjo punë, por jo nga të ardhurat që përfiton prej kësaj pune. Si çdo njeri, zonja Ballauri ka të drejtën e saj të mos jetë veprimtare e të drejtave të njeriut, ka të drejtën e saj të jetë pjesë e një fushate politike, aq më shumë ka drejtën e saj të shkojë në forume të tilla elektorale për të debatuar për qytetin. As që kemi ndërmend tia heqim këto të drejta zonjës Ballauri. Bile as të drejtën të pyesë Edi Ramën pse organizoi puç shteti, pse mbron laviren e Bulevardit, pse merret me horrin e Presidencës, apo pse nxiti njerëzit të kërkojnë të drejtat e votës, të drejtat e punësimit, të drejtat e shanseve të barabarta, të drejtën për të mos u vjedhur dhe poshtëruar nga administrata dhe sistemi gjyqësor. Keqkuptimi jonë ndaj saj ka të bëjë me përfytyrimin që ne kemi për aktivistët perëndimorë të të drejtave të njeriut, që mes shtetit agresor dhe qytetarit viktimë, janë gjithmonë në anën e qytetarit.

Në realisht nuk duam të shkelim asnjë të drejtë të zonjës Ballauri për të qenë pjesë e politikës dhe fushatave elektorale në Shqipëri. Tani e tutje nuk do ta ngatërrojmë më me veprimtaret e të drejtave të njeriut, një racë në zhdukje në vendin tonë. Është e rëndë pasi një pjesë e kësaj race janë majmur duke abuzuar me fatkeqësitë e qytetarëve dhe tani guxojnë të  mendojnë se viktimat kanë nevojë për mëshirë, për tu dhënë ndonjë rrogë si pastruese në shtëpi, dhe jo për tu dhënë dinjitet si qytetarë, për të mësuar se kush u vrau djalin, kush u vrau burrin dhe kush i ka lënë në mëshirë të zonjës Ballauri për të keqpërdorur dhe fatkeqësinë e tyre. Ne i mirëkuptojmë të drejtat politike, elektorale dhe aspiratat qytetare të zonjës Ballauri, por më shumë çmojmë dhe mbrojmë të drejtat e viktimave të këtij pushteti. Dhe duke u keqkuptuar me ish veprimtaren e të drejtave të njeriut, e financuar me miliona dollarë nga Perëndimi për këtë çështje, menduam se ajo ishte në vendin e duhur, përballë njeriut të duhur, në kohën e duhur, për ta ballafaquar atë me njollën më të errët që mund të ketë një politikan gjithë jetën në shpinë: Vrasjen e katër qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›