Balloja e Bamirësisë siguron 8500 euro për pacientët me kancer
Balloja e përvitshme Pranverore e Bamirësisë ka siguruar këtë vit 8500 për pacientët me kancer. Të shtunën ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, mirëpriti të ftuarit në Ballon e përvitshme Pranverore Britanike të Bamirësisë, organizuar nga komuniteti britanik në ndihmë të shoqatës bamirëse Ryder Shqipëri (RAA). Rreth 150 vetë morën pjesë në këtë eveniment, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë shqiptarë dhe anëtarë të biznesit dhe komunitetit ndërkombëtar. Balloja siguroi 8.500 për të ndihmuar të sëmurët pa shërim në Shqipëri dhe kujdestarët e tyre. Në fjalën e saj, ambasadorja theksoi rastin e një gruaje 19-vjeçare me kancer të cilën RAA është duke e mbështetur aktualisht. Stafi i përkushtuar në RAA kanë ndihmuar gruan e re dhe familjen e saj të arrijë një cilësi më të mirë të jetës, me dinjitet, pa ankth dhe dhimbje, si dhe kanë bërë të mundur që ajo të lëvizë përsëri me anë të një karroce të re. Ambasadorja shprehu shpresën e saj se, me paratë e mbledhura nga balloja, RAA do të jetë në gjendje për të ndihmuar shumë më tepër shqiptarë në rrethana të ngjashme. Që nga viti 1993, kjo organizatë ka ndihmuar mbi 4600 njerëz të sëmurë pa shërim në Shqipëri. RAA ofron përkujdesje në shtëpi për njerëzit me kancer dhe sëmundje të tjera pa shërim në formën e ndihmës mjekësore, psikologjike, sociale dhe ekonomike. Qëllimi i tyre është që të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientit gjatë javëve dhe muajve të tyre të fundit. Ambasada britanike ka qenë një mbështetës entuziast i kësaj bamirësie për shumë vite si një shembull i shkëlqyer i angazhimit të shoqërisë civile në fushën e rëndësishme të kujdesit paliativ.