Të drejtat e të arrestuarve,OJF-të akses në paraburgim

Shoqëritë civile akses në qelitë e paraburgimit për mbrojtjen e të drejtave të personave të arrestuar/ndaluar. Shoqëria civile duke filluar nga sot do të ketë akses të plotë në qelitë e paraburgimit për të parë mënyrën se si trajtohen të arrestuarit nga policia. Kjo falë një memorandum bashkëpunimi që është firmosur nga Kreu i Përgjithshëm i policisë së shtetit dhe përfaqësuesit të Avokatit të Popullit Ervin Karamuço.
"Puna dhe veprimtaria e Juaj, nëpërmjet inspektimeve, vizitave dhe kontrolleve të vazhdueshme në strukturat dhe shërbimet vendore të policisë; hartimit dhe dërgimit të raporteve për gjendjen e kushteve të ambienteve, trajtimit dhe respektimit të të drejtave nga personeli policor; rekomandimet për përmirësimin e trajtimit dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të privuar nga liria në ambientet e policisë; organizimit dhe zhvillimit të seminareve dhe tryezave të përbashkëta të punës me objekt përmirësimin e trajtimit dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ka rritur përgjegjësitë e personelit policor në përmbushjen e misionit dhe të detyrave policore vetëm, në përputhje me ligjin e në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave themelore të individit" theksoi Burgaj.
"Është një eveniment shumë i madh, është një mesazh shumë i qartë që i jepet publikut, shoqërisë civile, mediave, faktorit ndërkombëtar, sidomos ata që na monitorojnë për çështje të integrimit për në BE, që policia po ndërmerr hapjen e saj ndaj shoqërisë publike dhe publikut në përgjithësi. Ky është një proces shumë emancipues i një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar në fushën e sigurisë dhe sigurisht memorandumi i sotëm është hapi i parë për të sanksionuar më vonë edhe me ndryshimet ligjore ligjin e Policisë së Shtetit, që çdo pjesëtar i Shoqërisë Civile, madje çdo person i interesuar, vetëm me një autorizim mund të hyje dhe të shikojë se ku shkojnë paratë e tij dhe sesi trajtohen këta persona nga shërbimet e sigurisë së Policisë së Shtetit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse nxjerr në pah edhe njëherë që policia është një institucion civil i shtetit shqiptar, një institucion që ka dhe duhet të ketë një performancë sipas të gjitha standardeve" theksoi Karamuço.
Ky projekt synon të sjellë më shumë vëmendje nëpërmjet inspektimeve, vizitave dhe kontrolleve të vazhdueshme në strukturat dhe shërbimet vendore të policisë; hartimit dhe dërgimit të raporteve për gjendjen e kushteve të ambienteve, trajtimit dhe respektimit të të drejtave nga personeli policor të personave të shoqëruar dhe të arrestuar/ndaluar.