E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-drejtori i policisë Premçi: Mafia nën kontroll kromin

Letra e dorëheqjes është dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përkatësisht kreut të saj, Hysni Burgaj. Premçi prej javësh ishte etiketuar në disa media në lidhje me transportin e kromit në minierat e Bulqizës dhe bllokimin që bëri policia në disa raste.

Presion i madh i bërë nga disa media dhe grupe të fuqishme të lidhur me interesat e kromit, duket se e kanë shtyrë atë të japë dorëheqjen. Megjithatë, pritet që të ketë një reagim zyrtar mbi dhënien e dorëheqjes. Drejtori Burgaj nuk ka humbur shumë kohë, duke emëruar në vend të tij, Hasan Gjergjerin.

Ai dha edhe një deklaratë për shtyp, ku bëri me dije arsyen e largimit, teksa shtoi se dorëheqja i është vënë në dijeni edhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe kryeministrit Sali Berisha.

 "Nga kush detyrohesh zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë? Ju duhet të keni detyrim vetëm nga ligji, jo nga ata që kanë marrë peng bashkë me kompetencat e tua, ligjzbatuesit dhe duke të të kthyer në një marionetë. Në profesionin e policit, në shërbim të shoqërisë, detyrohemi të hetojmë edhe nëpër gjirize, por nuk është e pranueshme të sillemi si ndyrësira. Shoqëria na kërkon që krimi të zbulohet, të kapet dhe të ndëshkohet. Në ato momente mund të themi: 'ja ky është xhandari, personi që përgatitet të lërë lëkurën e tij, për të mbrojtur atë të tjerëve, qofshin këta edhe mafiozë në pushtet'.

Ky është i vetmi kompensim që mund të pres nga profesioni im, por edhe nga ai i juaji zoti drejtor, që askush nuk na detyroi ta zgjedhim. Mua më ka mjaftuar dhe do të më mjaftojë, për sa kohë strukturat e Policisë së Shtetit ndihen të marra peng nga një grup mafiozësh, por që fatkeqësisht drejtohen nga një person, që vetëm 'çelësat e kashtës' ka në dorë dhe që emrin Hysni e ka.

Duke dorëzuar dorëheqjen në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që është katandisur në mbajtës çelësash të kashtës, e mora lirinë sepse nuk munda të bëja më shumë nën uniformën, përballë mafies së kromit, që vazhdon të grabisë Shqipërinë, duke vrarë skllevërit të minierës së Bulqizës dhe të gjithë rajonit. Liria do të më duhet për të folur hapur, ballë për ballë me armiqtë e këtij populli, pasi në përballje si oficer policie me mafien e kromit dhe pronave fituan ata dhe jo unë, por jam i bindur se ndeshja nuk ka mbaruar dhe ta harrojnë se duke më kërcënuar me bukën e gojës, si më kanë bërë deri më tani, apo me jetën, si mund të më bëjnë tani e tutje, mund të fitojnë heshtjen time për gjithçka di nga profesioni", tha  Premçi. 

                                                                                             2012-04-25 13:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›