“Të duam librin”- Biblioteka në Kukës synon afrimin e fëmijëve me leximin dhe largimin nga ekranet

Në një kohë kur teknologjia po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme të fëmijëve, biblioteka vijon të jetë një strehë e sigurt e dijes dhe krijimtarisë.
Përgjegjësja e sektorit të fëmijëve në bibliotekë thekson se libri mbetet një alternativë shumë e vlefshme për të larguar fëmijët nga ekrani dhe për të zhvilluar imagjinatën dhe gjuhën e tyre.
“Dihet që teknologjia ka zënë vendin dhe ne punojmë me fëmijët që t’ju ushqejmë dashurinë ndaj librit, ta lexojnë dhe t’i nxisim dëshirën për të lexuar”, tha ajo.
Ajo shton se është vërejtur një interesim gjithnjë e në rritje nga prindërit për të regjistruar fëmijët pranë bibliotekës.
“Bëhen regjistrime të reja, po punojmë të fusim tituj të rinj të librave që të tërheqim sa më shumë fëmijë”, tha ajo.
Në të gjithë muajin prill nga biblioteka “Agim Spahiu” priten një sërë aktivitetesh kryesisht për fëmijë të arsimit parashkollor.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/