E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të evakuuarit nga Fukushima bëjnë thirrje për ndihmë

Kryetari i bashkisë së një qyteti të vogël që pret mijëra persona të evakuuar nga rrethinat e centralit të Fukushimës i bëri thirrje sot komunitetit ndërkombëtar për ndihmë. "Do të doja t`i bëja thirrje botës: kemi nevojë për ndihmë. Deri tani kemi 9 000 persona të shpërngulur ", deklaroi kryetari i Bashkisë së qytetit të vogël Koriyama, që ndodhet rreth 50 kilometra në perëndim të centralit.
Ata filluan të vijnë që kur qeveria urdhëroi evakuimin e të gjithë banorëve që banojnë në një rreze prej 20 kilometrash nga centrali ku aksidentet pasojnë njëri-tjetrin në reaktorët bërthamorë të dëmtuar nga tërmeti dhe cunami i të premtes.
Të evakuuarit janë vendosur në disa qendra pritjeje, sidomos në stadiumin e bejsbollit, që për fat, është rikontruktuar së fundi për të përballuar një katastrofë të mundshme natyrore.
"Njerëzit janë të shqetësuar, por të qetë. Nuk ka panik. Ata shqetësohen më tepër kur shohin televizor dhe konstatojnë ankthin që ka përfshirë vendin", tregon Hara.
Jeta është riorganizuar shpejt, në frymën e disiplinës dhe të solidaritetit të shoqërisë japoneze. Të evakuuarve u bëhen analiza mjekësore dhe teste radioaktiviteti.
"Ajo për të cilën kemi nevojë urgjente është karburanti, uji dhe ushqimi", bëri të ditur Hara. "Më tepër se gjithçka na mungon karburanti, sepse pa të nuk mund të bëjmë asgjë. Nuk mund të ngrohemi apo të vëmë në funksionim pompat e ujit", shtoi ai, ndërkohë që bën ende ftohtë në këtë rajon verior të Japonisë.
Qeveria ka mobilizuar më tepër se 80 000 ushtarë dhe policë për të ndihmuar rreth 500 000 personat e shpërngulur, më tepër se 200 000 prej të cilëve të evakuuar sepse banonin në një rreze prej 20 kilometrash nga centrali.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›