Te Çezena e quajnë të blerë Bogdanin
çezena e re do të flasë shqip. Kështu shkruan sajti italian “RomangaNoi.it”, sipas të cilit shtatlarti shqiptar pritet nga momenti në moment të zbarkojë pranë këtij ekipi, ku është thirrur për të shënuar gola të rëndësishëm në Serinë B. “Dashi i ajrit”, siç e përshkruajnë mediat italiane sulmuesin gjigant shqiptar, nuk pati sezone të shkëlqyera në dy vitet e fundit. Këtë e tregojnë dhe pesë golat e vetëm të shënuar nga ai në tre kampionatet e fundit. Por shpresohet se ritakimi me ish-trajnerin e tij dikur te Verona, Masimo Fikadenti, mund ta ringjallë, duke e bërë të rifitojë shkëlqimin e dikurshëm. Në sezonin 2004-2005, me Fikadentin në pankinën e Veronës, Bogdani bëri sezonin e tij më të mirë në karrierën e tij në Itali, duke shënuar 18 gola në 38 takime në Serinë B. Bogdani do të jetë një përforcim i dobishëm për trajnerin Fikadenti. Ish-sulmuesi i Kievos pritet të firmosë në orët e ardhshme një kontratë njëvjeçare, me opsion edhe për një vit tjetër dhe shumë shpejt mund t’u bashkohet shokëve të rinj të skuadrës. Te çezena, në sezonin 2002-2003 ka luajtur edhe Florjan Myrtaj, autor i 12 golave kur skuadra italiane ndodhej në Serinë C.
#