Van Gal thumbon: Itali, je e mplakur
I vetmi zhgënjim i Bajernit të Mynihut në një sezon 2009-’10, që mund të ishte 100% triumfal, erdhi nga dora e një skuadre italiane, nga Interi. Atëherë çfarë bën Bajerni? Zgjedh pikërisht Italinë si rezidencën e tij për të zhvilluar fazën përgatitore në prag të sezonit të ri të Bundesligës. është hera e parë që klubi me më shumë tituj i Gjermanisë kalon kufijtë kombëtarë për të zhvilluar fazën përgatitore diku tjetër: baza e përzgjedhur për këtë eksperiencë të re është Trentino, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar dhe që pikërisht gjatë këtyre ditëve po bëhet realitet. Në fakt, që nga e hëna Bajerni është në Riva del Garda. Dhe do të qëndrojë aty deri të shtunën. Natyrisht trajneri Luis van Gal është prezantuar në bregun verior të liqenit të Gardas me një trëndafil të sapoçelur në dorë dhe me një skuadër të paplotë. Të saporikthyerit nga Botërori Afrikë e Jugut 2010 janë ende me pushime, prandaj seancat e programuara nga tekniku holandez do të jenë si fillim jo shumë të ngarkuara. Ardhja e kampionëve të Gjermanisë, që kanë zbarkuar të hënën në Verona dhe janë sistemuar në hotelin “Du Lac et Du Parc” të Riva del Garda, ka ngjallur interesin e të pasionuarve pas futbollit dhe të turistëve prezentë. Stërvitjet e skuadrës po zhvillohen në stadiumin komunal të Arkos dhe janë të hapura për publikun. Megjithatë Van Gal është në qendër të vëmendjes së shtypit italian dhe ai tregohet gjithnjë i gatshëm për të dhënë deklarata, disa nga të cilat janë thumbuese. “E kisha parashikuar se Italia nuk do ta kalonte turin e parë dhe Argjentina nuk do të shkonte deri në finale, prandaj nuk u çudita kur këto dy skuadra u eliminuan, u përgjigjet trajneri holandez atyre që e pyesin në lidhje me botërorin e sapopërfunduar. Edhe unë u riktheva te Barcelona gjatë karrierës sime, ndaj mund të them se hera e parë shkon mirë, por për të dytën jo gjithçka të ecën mbarë. Ndërsa Italia ishte një skuadër e vjetër. Nuk është aspak faji i Lipit, i cili është një trajner i madh dhe do të mbetet i tillë edhe pas këtij botërori”. Për sa i përket humbjes në Champions League, zhgënjimi i bavarezëve tashmë ka kaluar, por sigurisht që nuk është harruar. Sulmuesi kroat Ivica Oliç, gjithnjë në konferencën për shtyp nga Riva del Garda, e komenton kështu kualitetin e lojës, që u pa nga gjysmëfinalja e më tej: “Ai i Interit ishte një sukses i merituar, por sigurisht nuk mund të thuhet se ka luajtur futbollin më të mirë në Europë”.
#