E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të faleminderit Anagnosti ynë!

Boshtet e jetës
Tek e kqyrim si një rrugëtim nga pika ku kemi mbritur ajo, jeta, duket e shkurtër. Gjurmët e lëna janë një toponomi antropologjike që rëfen. Por nëse rikthehemi nga pikënisja, çdo kush përball të panjohurës që pritej si sfidë dhe enigmë, qoftë edhe për një pauz po të reflektojmë dhe të sjellim në mëndje, vendimmarrjen në momentet më të rëndësishme për vet fatin e jetës si identitet, njeriu mund të gjej sot plotë arsye për të thënë: Ka pasur drejtpeshime dhe gjithë po aq për t'a gjetur atë anagzhim apo udhënisje si një aventurë që mban peshën e jetës dhe veprës së realizuar! Ai quhet Dhimitër Anagnosti dhe mbushi 75 vjeç (këtë janar) ndaj ne bashkëkohësit e tij kemi arsye të ndalemi, të mendohemi, e të hapim brenda qenies tonë një ekran të madh ku të projektojmë qoftë edhe për një çast imazhet e filmave të tij. Do të kuptojmë se kemi qenë me fat! Nuk paskërkishim qenë të braktisur, pasi humanizmi paskërka trokitur edhe në derën tonë. Italianët u rritën me Vitorio de Sikën, dhe Frederiko Felinin, francezët me Klod Shabrol e Jan Pierr Melvile, hungarezët me Marta Mesarosh, amerikanët me Elio Kazan, japonezët me Akivo Kurosavën, të gjithë kombet dhe popujtë u mëkuan me filmin e Çarli Çaplinit, dhe sot me regjisorët Oliver Ston, Francis Copola, Standli Kubrik, etj, etj. Janë këta "fare" në oqeanin e botës së imazhit. Por udhëtimet në ujërat oqeanike të sjellin edhe në brigje ujërash ekzotike, në gjire të lakmueshëme dhe brigje epike, pse jo edhe të qeshjes së hidhur të fatit, atje ku jetohet dhe ku krijohet art e xhirohen filma po aq të bukur! Ndaj kemi edhe ne shqiptarët atë dritë që "ndizet e fiket" në ritualin e vet orjentues për të kuptuar ditën dhe natën e një populli përmes pelikulës që rëfen. Të gjithë ne, në këta pesëdhjetë vitet e fundit, mund të themi në ditëlindjen e trecerekshekullt të kineastit; "Të faleminderit Anagnosti ynë"! Kemi qenë bashkëkohës dhe ky është fat për ne! Kemi pasuruar shpirtin dhe kemi njohur më mirë botën dhe veten, fal filmit tënd! Ja përse jemi kaq të mirë sot, sepse qoftë edhe për një hop të sjellim në mëndje një "arithmetikë të keqe" që mund të kishim jetuar pa ata filma, dhe të gjithë do të dridheshim sepse do ta gjenim veten të zbrazur, do të ishim më pak human, më pak të përgatitur përball ngjarjeve të serta, më pak të blatuar me arsye, tek e fundit më pak të aftë që të përqeshnim të keqen!
* * *
Të shoh djalosh kërthi, me ata sy që shëndrisnin tek lagie këmbët në ujërat e Jonit në fshatin Vuno.Shekulli i marëzisë së luftrave botërore ende nuk kishte shëruar plagët e së parës dhe po bëhej gati të ndizte të dytën, që të "mballoste" të vjetrat, me krijimin e plagëve të reja edhe më të mëdha, edhe më të tmershme, edhe më të padenja, sepse marëzia nuk ishte ngopur me vdekjen dhe kufomat. Dhe ujët e kripur qullte këmbët e zbathura. Dhimitrit të Anagnostëve, emri i gjyshit ishte risjell e gjalluar tek ky fëmijë, veç ai det mund t'ia lexomte aso kohe ëndrrat e fshehura. Xhadesë së pluhurtë, herë herë, tërhiqej zvarë ndonjë "thes me ekurishte", me demek ndonjë kamion, por se për atë botë të humbur shtigjeve të egra, ai mjet ishte si një "marshim triumfal civilizimi"! Mbi atë kamion ai që ngiste, shoferi, dukej sikur vinte nga një tjetër gjendje dhe me një tjetër "hartë rruge", ndryshe nga bashkëfshatarët që gdhiheshin dhe ngryseshin në të njëjtin dekor natyror, me malet lartë, me detin poshtë, dhe me ullinjtë në mes. Ajo "katana" që lëvizte mbi rrota, mund të sillte erën e hapsirave të panjohura. I jati i Anagnostit ishte shofer dhe me atë mision të jetës, dukej se kishte parashijuar se ai, biri i tij, do të ikte një ditë, do të kërcente mbi karocerinë dhe do të nisej për të njohur botën në një rrugëtim të gjatë, ashtu si "Gjoleka i biri Abazit"! Tek lexohej në Kishë çdo të dielë libri i shenjtë, nga një prej "Ndrenikave" (Andrea Nika) që kishin bujtur atje në udhë të fatit prej thellësive të Mirditës, (kësaj krahine që duket sikur e ka shëndruar në emër identifikues përshëndetjen ogur mirë të çdo dite që zbardh si mundësinë për një fat të ri ndryshe, më të bardhë dhe me të begatë); Ai, njëri nga të parët e Dhimitrit ishe quajtur në këtë funksion Anagnost (lexues). E gjithë gjindja e tij morri pas kësaj këtë emër të ri, të një hapsire jugore bregdetare.Prej asaj kohe ata mirditorë të katolicizmit roman, ishin quajtur Anagnostët orthodoks. Dhe një tjetër tingull identifikues për fatin e atij djali në rrugëtimin e jetës ishte luajtur në harmoninë e shpirtit, si për t'ia ngarkuar vetëdijes së tij këtë barë që nuk është shkarkuar edhe sot në ditët tona, ai do të ishte lexues i shquar, i vemëndëshëm, skrupuloz! Fal këtij "ushqimi" në shkollën e mesme "Ali Demi" në Vlorë do të përpinte në lexim çdo gjë që i binte në dorë. Hartimet e tij diçka parathonin! Mes faqeve të librave do të përthithej një "pjalmë" mendimi dhe fantazie. Fjala do t'i shtohej fotografimeve vizuale, që nga "puthjet mes reve me maj-malet", e deri tek puthjet "mes brigjeve dhe horizontit", mes "detit dhe anëve të largëta". Mbi boshte haspinore vertikale-horizontale, kishin filluar të hidheshin të dhënat me qëllim gjetjen e kordinatave dhe përllogaritjen e diagramave. Po të shikosh me vemendje filmin e Anagnostit, do të evidentosh se edhe kur është vet operator, por edhe kur kamera i është besuar dikujt tjetër, lëvizja që kqyr për të ndërtuar imazhin filmik, është "karteziane". Ajo lëviz nga lart-poshtë dhe anasjelltas, dhe nga minus infiniti në plus infinit, deri në kufijtë që gjithçka tretet duke marrë me vete enigmat dhe duke lënë brenda nesh një shije që quhet gjithësia shqiptare e qëndisur deri në qelizë. E gjithë kjo, jo thjesht nga një kineast, por nga një "albanolog i imazhit", që e njeh këtë popull nga "rrënja e flokut", deri tek "maja e thoit"! Ai i'ua njeh bashkë-atdhetarëve "proin e jetës" dhe "tërbimin e ujërave të dellit iliro-ballaknik", u'a njeh kostumin e fatit në ceremonial dasme dhe veshjen e mortit në vajtim, e njeh shqiptarin epik të Alpeve si edhe breg-detasin e mënçur të dallgëve. Ju njeh dufin dhe ironinë, ju njeh krenarinë dhe fodullëkun, cmirën dhe brerjen e shpirtit, mikëpritjen dhe shpirtë-gjërësinë, trimërinë e marrë dhe "gjoks-hapjen" për ta pritur plumbin si ekujvalent për nderin e mos shitur! Dhimitër Anagnosti i ri, e gjente mundësinë që të shkonte me shokët në kinemanë e Vlorës, për të parë çdo premierë dhe mundësisht disa here. Ai komunikim me botën e imazhit nuk i morri leje kur hyri brenda tij me vendimin e jetës! Rrugëtimi do të vijonte me një formular të thjeshtë por zyrtar. Kërkesa për studime të larta kishte të shkruajtur nga dora e tij tre degë studimi. E para letërësi, e dyta kinematografi, e treta inxhineri! Duket sikur nuk kanë lidhje, por ja që nuk është krejt ashtu.Letërësia mbeti si themel, sepse Dhimitër Anagnosti u bë me kohë edhe një skenarist apo bashkë-skenarist i mirfiltë, e në vitet e "këngës së pasme" edhe dramaturg. Fjala e tij është e qashtër, jo e "ojnizuar", është askete si një gjuhë skulpture, dhe me tharme shpuese të një ngacmimi fabulistë. Ajo e ka të qartë suprinën, por mban të fshehur në brendësi mesazhin, ashtu si sillet guacka me perlën. Duhet vemendje dhe përqëndrim, intuitë dhe njohuri të thella të kulturës linguistike, për t'a kuptuar përse në atë rast apo në ato rrethana, ai vë në gojën e personazhit pikërisht atë fjalë të rrallë, me ngarkesë, që në një logjikë formale mund t'i gjesh si simotër dhjetra sinonime qartësisht të pastra në kuptimin gjuhësor. Inxhinier, kishte qenë kërkesa e tretë dhe nuk ishte pa gjë edhe kjo hobi, sepse ai studjoi në Moskë në ish Bashkimin Sovjetik, në "Institutin Shtetëror të kinematografisë" për kino-operator(drejtor fotografie). Kontakti me këtë paisje magjike që kryente mrekullinë nga bota jashtë në botën e pelikulës. Ndoshta ky ngacmim për paisjet, veglat që bëjnë "çudinë" lidheshin me kujtimet e fëmijërisë, kur ati i tij "ormiste" atë "xhepanen e madhe me rota", për të mbajtur familjen e tij gjallë. Ndoshta "kovaçi" shëtitës që vinte çdo pranëverë në Vuno dhe kallaiste "bakëret" apo prehte sëpatat, plugjet e kosat, kishte ngjallur kuriozitet fëmijnor, e si thoshte Aristoteli:"Kurioziteti të shtyn në njohjen e botës"! Pse jo, edhe ata zografët lëvizës që nga ai trekëmbësh mes një shpërthimi gjëmues të fiksonin në aparat sa hap e mbyllë sytë, dhe në çast ti e sheh të fikësuar veten. Qysh në 1903 familja e tij e kishte kryer këtë lloj bekimi me "imazhin" e ngrirë. Kur Dhimitri erdhi në jetë dhe çapiti duke u ngritur në këmbë mësoi shumë gjëra të "gurëve të shtëpisë". U njoh dhe u miqësua me sekretet e baçeve me agrume, me prapësi të xhadesë që hapej duke plasur mina, mësoi enigma për detin dhe peshkimin, për lidervinë që prodhonte vajin e ullirit, për mushtin e verës dhe të rakisë, për anetë e mira që thurnin me lesh fanellat e mishit, për dasmat dhe kurbetin! Si re që ngarkoheshin me shtërngatë dertesh ishte pezull kënga polifonike e bregut, kjo piskamë e simfonizuar duke imituar valët e detit dhe dërgimin e mesazheve pa adresë, drejt jetëve që niseshin për të mos u kthyer, ose për të ardhur sërish në ato brigje, por tashmë të mbetura uloke; dhe që bënin të plakej para kohe dhe në një heshtje mizore rinia dhe trupi i athtë i femrës, si një ftua që në kalbëzim përtej asaj tkurje duket se vjen e i prishet edhe vet aroma! Thaheshin buzët, plakej lëkura, varej mishtë dhe tkureshin gjinjtë, sepse djalëria dergjej kurbetit dhe ato vaje dukej se sillnin me vete edhe tragjizmin epik të mitikës pelazgjike-helene. Dukej sikur Klitemenstra i justifikohej Orestit! Fëmijët e bregut, këta gjeni të ardhëshëm, këta punëtor të rallë, këta mendimtarë të zotë, këta artistë me famë, këta "drurë që nuk kalben", e kishin filluar edukimin dhe formimin parashkollor atje buzë Jonit të kaltër e të kripur, ku civilizimi i sotëm europian kishte pasur parahistorinë themelonjëse! Por se nga do që të shkonte, sa herë që hapte sytë dhe sa herë që i mbyllte për të fjetur, Dhimitri e shihte atë foto të familjes së madhe të "ndrenik-anagnostëve" që ishin reshtuar me solemnitet veshur me robat më të mira, për të pasur si pasuri të identitetit qysh në hyrje të shekullit, një fotografi familjare.
* * *
Ishte viti 1954 kur Marjanthi Xhako (studjoi për regjizore), Todi Bozo (studjoi për ekonominë e buxhetit të filmit), Viktor Gjika e Dhimitër Anagnosti (studjuan për kameramanë) dhe Gregor Ikonomi (studjoi për skenografi filmi), mbritën në atë metropol të lindjes, në Moskë. Dhimitër Anagnosti në një mënyrë krejt origjinale, pranon se formimin ja dedikon jo një njeriu, jo një institucioni, por se ja dedikon një qyteti. "Mua më bëri artsit të kinematografisë dinamizmi i atij qyteti"! Një popullësi gati pesë herë sa e atdheut të tij Shqipërisë. Lëvizja, ritmi, gjallëria, jeta aktive, dashuria njerëzore e papenguar dhe e pa-pëshpëritur nga morali i mykur i shoqërive të mbyllura provincialiste. E gjithë kjo derdhje e vrullëshme e këtij qyteti të madh i ndryshoi mendimin, i'a rimoduloi mentalitetin, ja populloi hapsirat e ëndërrimeve me një ritual të ri njerëzor, me qëllime të thella për ta parë edhe botën ashtu si edhe natyrën e paanë, brenda njeriut dhe jashtë tij, tek njerëzimi që nuk ndahet për shkak të etnive dhe tipareve të tyre unikale, por se është një mozaik i plotë dhe me figurim të arrirë kur mban brenda të gjitha popujt dhe kombet. Ato gjenerata të reja të artistëve nga gjithë bota, ai multi-etnizëm studentor e frymëzonte Anagnostin tonë! Ai realitet i dha aftësimin e një antopo-filozofi për të venë në qender të veprës njeriun, institucionin më të vjetër, më të pavjetërueshëm, që nuk të lejon të të humbas nesër vepra, si edhe ndodh kur në qendër të artit vihen sistemet ideologjike apo politike. Universaliteti i njeriut, qëndron jo thjesht tek shumësi etnik apo i kombësisë, por tek humanizmi që nuk ka racë, nuk ka kombësi, dhe etnicizmi! Ja përse puna e tij e diplomës ishte filmi, "Njeriu kurrë nuk vdes", bazuar në tregimin e Ernest Heminguejt." ishte gjetur matrica ku do të lëviste e gjithë krijimtaria e tij e ardhëshme. Njeriu do të vinte si objetki i hulumtuar dhe si krijuesi gjithëçkaje, që nga mirësia deri tek marëzia. "Njeriu filmik" i Anagnostit, është fëmijë apo i ritur, jetim apo në familje, i gjallë apo i vdekur, vital apo i pamundur, është me teshat e shtatit apo me uniformën e luftës, mjeku kirurg me duar të arta apo shoferi që ka halle në shtëpinë e tij, është gruaja e traditës zakonore apo një intelektuale që duket se ka pushtuar botën me egoizmin e saj. Gjithçka njerëzore tek gjuha filmike e filmit anagnostian është jetësore, është reale, është e tillë që nuk të lë të çartisësh në haspira dhe realitete të sforcuara prej ideologjisë apo moskulturës, (që jo rrallë herë kanë bërë që mes metrazhit filmik të takosh atë që nuk është qelizë e komunitetit tend). Dhimitër Anagnosti si një "pitagorian", e mbledh pika pika çdo gjë njerëzore, ashtu si në vargjet e numurave. Më tej ai krijon kombinimet e vijave si në trekëndëshin kënd-drejtë pitagorian dhe pasi e gjen rregullësinë e gjeometrisë njerëzore, ai thellohet në "trigonometrinë" njerëzore për të kuptuar raportet dinamike të këndëve dhe vijave, pra të njerëzve dhe fatit të tyre, të njeriut dhe misionit të tij të jetës; në emër të frymës, dinjitetit dhe humanizmit. Personazhet e tij kaq real, kuptimplotë dhe të pikturuar deri në një grimasë apo gjestikulacion të segmentuar, qoftë edhe të një gishti të dorës, e sjellin "gravurën njerëzore" jo të zbukuruar, jo të mbuluar me tisin e shkëlqimit hipokrit të propagandës. Ai si një "Van Gog" i filmit e ka çdo njeri, të barabartë me veten, në mendje, në sjellje, në moral, në ritual, në atë që sillet si bota e tij varfër-e pasur! Nëse dikush do të njohi shqiptarin, mund të zhytet në shumë burime, por se po qe se sheh filmat e Dhimitër Anagnostit do të mësojë aq shumë, sa që do të mos ketë më dëshirë apo kërshëri për t'u "hedhur në një degë tjetër"! Ai "pikturon" me filmin e tij, si asketin verior, malsorin epik dhe naiv, ashtu dhe jugorin e zgjuar dhe jo pak ironik e djallëzor. Deri në detaje dhe kapilare janë të vizatuar me gjuhën filmike çdo personazh në filmat e Anagnostit! "Njeriu kurrë nuk vdes", skenari u shkruajtë nga bashkë-studentia, Lejda Llajus nga Estonia dhe u realizua nga Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika. Ky krijim e detyroi Jurinë Ndërkombëtare të "Festivalit Botëror të Shkollave Kinematografike" që u zhvillua në Hollandë në vitin 1961; ti akordonte çmimin e parë! Ishte gjetur maksima, "duaje njeriun" dhe "vdekja nuk të mposhtë"! Njeriu triumfonë mbi çdo sistem, ideologji e fetishizim! Ai e shkruan vet fatin e tij, sepse lirinë e parë që ka krijuar, ka qenë ajo e të qenit i "lirë nga frika". Qysh në punën e diplomës, këmbana kishte rënë bukur si art, jo për meshën e pushtetit dhe regjimit, por për këngën e jetës dhe njeriut! Anagnosti nuk do të gabonte sepse kishte gjetur "hartën e rrugës"! Njeriu, nga njeriu, për njeriun!
Filozofi i filmit,
Anagnosti ynë!
Regjizor i shquar është ai që mjeshtërisht njeh, zotëron dhe drejtohet nga filozofia estetike e filmit. Si i tillë, ai në veprën e tij përmes "gjuhës" filmike shkrin në një të vetme, botën shpirtërore me mjedisin dhe përmes stilit artistik të imazhit vë në qendër njeriun me kozmogoninë e tij. Ky është tipari thelbësor i veprës filmike të Dhimitër Anagnostit. Nëse stili është njeriu, bota që na rrethon dhe që eksplorohet, është ajo ku ai përpiqet të njohi veten duke e ndryshuar atë. Veçori e filmave të Anagnostit është se, në një numur të madh të tyre ky univers dialogues "njeriu-bota", ka në qendër fëmijët, ata që dhurojnë modelin e sinqeritetit dhe rrëfenjën pa censurë të së vërtetës.Tek filmi "Komisari Dritës" janë nxënësit e shkollës së Dritan Shkabës. Tek "Përrallë nga e Kaluara" ëshë Gjinua, tek "Gjoleka i biri i Abazit" është Gjoleka, tek në "Shtëpinë Tonë" është Miri! Mrekullisht një pendul i tillë fati dhe realiteti, është i realizuar tek kryevepra e Anagnostit,"Lulë kuqe mbi mure"! Madje edhe në filma të tjerë ky raport fëmijë-prindër është nyja e dramacitetit, pa çka se situata është që fëmijët janë të ritur por në raport me prindërit e tyre mbeten bijtë e tyre. Gjendet kjo situatë tek filmi "Plagë të Vjetra", mjekja Vera është përball prindërve dhe familjes.Ndërsa tek filmat "Vëllezër dhe Shokë" e "Gurët e shtëpisë sime" një marrëdhënie e tillë është prezente si një plazmë njerëzore dominante. Nëse duam të skanojmë shpirtin e njeriut dhe të njohim mozaikun e vlerave dhe dritëhijet e marëzisë njerëzore, mënyra më e mirë është ta kënd-qëndrojmë vështrimin mbi të, në raportin ekzistencial të jetës me vdekjen. Këto dy-skaje vinë pranë dhe mund të ndërrojnë menjëherë vend kur njeriu shkon në luftë ose ndodhet me apo pa lejen e dëshirën e tij në luftë. Dhimitër Anagnosti e jetoi luftën kur ishte fëmijë dhe e rregjistroi atë në kujtesë, në ndjenja dhe në "gjygjet e brendëshme" të sub-koshiencës. Si pa e kuptuar kur "armë" pati kamerën dhe regjinë filmike, ai krijoi filma për luftën, për njeriun dhe njerëzit në luftë, veçse me një veçori tejet dalluese. Në filmat e tij ka pak ose fare pak beteja, aksione apo llogore luftimesh. Ai e sheh luftën në një këndëvështrim tjetër. E kërkon dhe e gjen atë tek bota njerëzore, duke qëmtuar dhe evidentuar humanizmin, vlerat e jetës që duhet shpëtuar, analizon shëmtimin e tradhëtisë, poshtërësinë e jetës pa ideal, gërmon tek instiktet shtazore që vijnë në sipërfaqe prej mugëtirave dhe marrin komandën vendimmarrëse tek njeriu. Edhe regjizor të tjerë të shquar te kinematografisë shqiptare kanë krijuar vepra filmike për "Luftën e Dytë Botërore", madje vepra goxha të mira, por se jo sa Anagnosti. "Malet me blerim mbuluar" viti 1971(skenarist e regjisor)."Lulë kuqe mbi mure" viti 1976 (bashkë-skenaristë me Petraq Qafzezin e regjisor)."Monumenti" viti 1977 (skenarist e regjisor). "Vëllezër dhe shokë" viti 1980 (skenarist e regjisor)."Gurët e shtëpisë sime" viti 1985 (skenarist e regjisor)."Kthimi i Ushtrisë së Vdekur" viti 1989 (skenarist e regjisor); si edhe filma që flasin për një realitet në prag të luftës apo në ditët e para të mbarimit të saj. Sot, me plotë gojën i themi kineastit Anagnosti faleminderit, sepse filma të tillë nuk xhirohen më dhe, se Arkivi Qendëror i filmit shqiptar i ka këto realizime jo thjesht filma artistik e vepra arti me vlerë, por edhe një "institucion" ku duhet të referohemi në një shumëplanësi interesash. Personazhet e këtyre filmave janë një galeri e gjallë e tipologjisë njerëzore shqiptare në raporte domethënëse të tilla si me jetën e vdekjen, me atdheun e dinjitetin, me largëpamësinë e dritëshkurtësinë, në gjetjen e drejtëpeshimeve që të orjentojnë të shohësh larg. Sikur vetëm për një çast të mendojmë se nuk do të kishte filma kushtuar asaj perjudhe, dhe boshllëku do të ishte një hon i frikshëm që, do e sillte verbërinë jo thjesht si "alergji" stinore, por si një "gjumë" të thellë përball vetëdijes dhe shancit të humbur, për "të provuar se sa njeri është njeriu"!
* * *
Duke qenë se Anagnosti është mjeshtër edhe në kamera, dhe në shumë filma skenarist e regjisor,ai, si rrallë kush ka mjeshtërinë e kapjes së ritmit sepse qysh në aktin krijues gjatë xhirimit parashijohet duke identifikuar kalimin nga njësia tek uniteti, duke realizaur montazhin. Kapja e këtij "ritmi" që buron nga montimi i inkuadraturave të ndryshme, bën që vepra filmike e Dhimitër Anganostit të kombinojë në mënyrë funksionale, largësitë dhe këndëvështrimet e ndryshme, detain pikant si një nyje rëfenjëse të veprimit me planin e afërt shprehës dhe inkuadrimet plurale zbërthenjëse; të gjitha këto në një kujdes të logjikës aksiologjike. Kjo filozofi e estetikës aplikative në procesin krijues e ndihmonë montimin e filmit në funksion të efektit arsyetues dhe psikologjik. Të gjitha sa më sipër i kanë shërbyer Anagnostit, për të realizuar mjeshëtrisht atë që në estetikën e filmit njihet si identifikimi.Si psh-identifikimi i njeriut në situatën e luftës, identifikimi i njeriut kur është vetëm kundër të gjitheve (tek filmi Dueli i heshtur), identifikimi i njeriut që beson sinqerisht në ëndërrën e tij iluministe, identifikimi i fëmijës jetim si një aktor i vërtetësisë jetësore. Shpesh në kuadrot filmike "pikturimi" i tipologjisë individuale ose "individuale-grup" lyp veçimin identifikues që realizohet nga kompozimi që ka vlerë sintetizuese të patjetrësueshme.Ja përse spektatori e adhuron filmin anagnostian. Imazhi i tij dhuron kompozime të mrekullueshme që mishërojnë ndenja dhe ide që hyjnë brenda teje kaq natyrshëm, sikur janë ato që mbajnë "hapsat" e shpirtit dhe mendjes tënde! Filmat pa kompozime janë të varfër dhe nuk mbahen mënd, sepse këmbana e tyre shpirtërore është pa "gjuzë"! Inkuadrimi në këndëvështrime të dallueshme është mjeshtëria e Anagnostit që siguron një kontinuitet të veprimit dhe mesazhit ideor, sepse "filmi nuk riprodhon fotografim imazhi (fatkeqësisht ka ende regjisor që kanë mbetur peng këtu) por se krijon një imazh filmik si art"(këtë ka realizuar Anagnosti ynë gati në 5 dekada punë)!Dhimitër Anagnosti është një institucion nga i cili duhet mësuar. Nëse ai dhe mjeshtrat e tjerë Kristaq Dhamo, Viktor Gjika(kjo treshe themelonjëse) e filluan nga mungesa e një tradite, ata që erdhën më pas dhe që vijojnë sot kanë pika referimi. Do t'u thoja kineastëve të rinj të mbajnë në vemendje se Dhimitër Anagnosti është mjeshtër i realizimit të planeve të afërta dhe përmes tyre, imazhi shëndrohet në një ndjeshmëri të thellë, ku poetika e dramaciteti i ndjenjës dhe logjika krijuese e regjizorit, "sendërtohen" në pelikul në një natyrshmëri prekëse.Ka një mori shëmbujsh, por se sillni vetëm një në mendje, sytë e Jaçes (plan nga afër) tek "Lulë kuqe mbi mure"! Si shprehet Bela Balash-esteti i parë i kinematografisë, në librin e tij "Filozofia e filmkulturës":…"Planet e mira të afërta duke na futur në të fshehtat e gjërave, në intimitetin e botës së "vogël", rrezatojnë një mallëngjim të thellë e të hollë njerëzor. Prej tyre buron një efekt i posaçëm lirik. Janë gjëra që nuk i sheh aq syri se sa zemra"!Filmat e Anagnostit janë aq organik dhe të integruar sepse kanë dhe montazh mjaft profesional, ku ndjehet filozofia e tij filmike. Si faza e fundit përmbledhëse e krijimit, montazhi ka misionin delikat, pasi prej tij varet realizimi i ritmit figurativ që nuk pranon as "duex est machine" as kapërcime që nuk bindin dhe që janë shprehje e montimeve jo funksionale. Realizimet e Anagnostit edhe në montazh kanë integritein e ritmit logjik me dinamikën e arsyetuar funkionale, si dhe provokimin që të ndihmon të ndjekësh njeherësh në rahjen e zemrës tënde fatin e personazheve si një materie artsitike.Filmi i tij nuk ka imazh të tepërt ilustaritiv apo peisazhe natyrore si intermexo.Imazhi i tij është i montuar në një arsyetim logjik që të ndihmon në përjetimin e veprës në dinamikën e një sintonizimi të natyrshëm, bindës dhe, si i tillë të provokon të thellohesh, e me frymëmarrje pezull duke u vetprovokuar në detin tënd të përjetimit, të lundrosh në valëzime emocionale.E gjithë kjo të ushqen fantazinë. Në funksion të këtij qëllimi Anagnosti realizon identifikimin-të shohësh përmes syve të personazhit.(kujto vështrimin e Marigos tek "Përrallë nga e kaluara", ose shikimin e botës nga Gjoleka tek "Gjoleka biri i Abazit").Ka edhe një "ingredient" tjetër filmik, është muzika e filmit. Edhe në këtë aspekt Anagnosti ka treguar shumë kujdes në filmat e tij. Kollona muzikore është jo thjesht bashkëshoqëruese, ajo pikëzohet në segmente muzikore dhe deri në tinguj që unifikohen me situatën, gejndjen, gjestin, veprimin apo heshtjen. Megjithëse vija melodike mund të jetë po ajo, në një situate filmike atë e takon të luajtur me violonçela, në një situatë tjetër me vegla fryme e në përputhje mjeshtërore me imazhin e përjetimin. Ose ritmika e muzikës, ndryshon në funksion të dinamikës filmike dhe gjendjes psikologjike dhe shpirtërore të personazheve. Një kuptim dhe përdorim i tillë i muzikës në film ndihmon ndërtimin adekuat të arkitekturës lëvizëse që shëndrohet në imazh dhe jo "në detaje të një imazhi"! Tingëllimi filmik mund të jetë i homogjenizuar emocionalisht vetëm kur ruan të njëjtin karakter në të gjitha elementet dhe tiparet e komunikimit.Kjo nuk është punë artizani, është magji artisti që di të shkrijë në një të vetme më shumë se një art duke krijuar filmin artistik! I tillë është Dhimitër Anagnosti ynë! Ndaj në këtë 75 vjetor i uroj:"Jetë të gjatë e punë të pandërprerë të "art(ë)"!
* * *
Tani më dukesh se je buzë Jonit me shpinë nga toka.Shkuma e bardhë e valëve dhe bardhësia e flokëve të tua harmonizohen. Ashtu si detet artistët e mëdhenjë nuk plaken.Ti kthenë kokën dhe sheh se sheshi xhirimit është gati, dhe fillon xhirimin e filmit, fjala vjenë, "Isa Buletini në Londër", ose dokumentatrin e gjatë "100 vjet e mosvarrëme fole e shqipeve"!Dhe institucionet e artit duhet të kuptojnë, se sa larg është Dhimitër Anagnosti, thjesht një thirje telefonike që me sa duket ende nuk ka mbritur!
(Shkrimi eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›