E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, Hoxha: Sistemi i referimit mbush arkën e spitaleve

Flet për “Standard” nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha. Nëndrejtori: Fluksi i pacientëve vazhdon në urgjenca, sidomos urgjenca e Kardiologjisë mbetet problematike

Sistemi i referimit disiplinoi përfundimisht fluksin e pacientëve, të cilët paraqiteshin në QSUT, tek kjo qendër, që është qendra më elitare dhe më e mirë në Shqipëri, e cila përballonte një fluks të nivelit primar, sekondar dhe terciar, kur destinacioni real i saj duhet të jetë terciar dhe sekondar për pacientët që vijnë nga Tirana. Kështu shprehet në një intervistë për “Standard” nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, doktor Mehmet Hoxha. Nëndrejtori Hoxha thotë se zbatimi i këtij sistemi ka ndikuar në rritjen e të ardhurave dytësore, pasi arkat e spitalit kanë arkëtuar shuma të mëdha.

Dy vite pas futjes së sistemit të referimit, si paraqitet fluksi i pacientëve në QSUT?

Sistemi i referimit disiplinoi përfundimisht fluksin e pacientëve të cilët paraqiteshin në QSUT, tek kjo qendër që është qendra më elitare dhe më e mirë në Shqipëri, e cila përballonte një fluks të nivelit primar, sekondar dhe terciar, kur destinacioni real i saj duhet të jetë terciar dhe sekondar për pacientët që vijnë nga Tirana. Implementimi me forcë i këtij sistemi nëpërmjet urdhrave dhe rregulloreve të përcaktuara qartë, mbi të gjitha dhe sidomos insistenca për ta zbatuar këtë sistem ka bërë që ky numër të ulet ndjeshëm. Kështu që një pacient që paraqitet në QSUT duhet të kalojë në disa hallka, që nisin me mjekun e familjes, të kalojë specialistin e lagjes në rastin e Tiranës apo të rretheve në rastin e rretheve. Të kalojë specialistin e qarkut në ato raste kur mungon specialisti i rrethit dhe vetëm më pas të paraqitet në QSUT. Ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme pasi kemi ngritur sistemin e konsultave ambulatore. Në total janë 7 konsulta, në tre prej të cilave janë informatizuar dhe i implementuar edhe sistemi i kamerave në to. Çdo pacient që paraqitet pranë konsultave në raste se nuk është në bazë të sistemit të referimit paguan tarifat e vendosura.

A regjistrohen të gjithë pacientët që kalojnë në shërbim shëndetësor?

Deri tani është e vështirë të flitet saktësisht për numrin, ndërkohë që ne jemi akoma duke punuar me analizën vjetore. Në të do të evidentohet numri i pacientëve që kanë marrë shërbimin me pagesë, falas dhe urgjencë. Gjithashtu do mësohen edhe rastet e shtuara dhe të operuara. Numri i vizitave ambulatore në QSUT ka rënë ndjeshëm, kjo për shkak të zbatimit të sistemit të referimit. Është shtuar numri i pacientëve që paraqiten në urgjencë. Unë mendoj se kjo është një lojë që ndodh shpesh në të gjitha vendet e zhvilluara, ne e mirëkuptojmë që pacientët që nuk kanë letrat në rregull preferojnë të zgjedhin rrugën e urgjencës, për të na vënë para faktit të kryer, pasi ne jemi të detyruar që çdo pacienti që paraqitet në urgjencë, t’i japim shërbim. Edhe në këtë pikë ne po bëjmë kontrollet tona për të parë sa reale janë këto urgjencë, për të parë mjekët që referojnë rastet në mënyrë urgjente, sidomos në fundjavë mjekët e rretheve referojnë rastet tek ne. Vijnë me letër si urgjencë. Në konsultat ambulatore numri është në rënie, ndërkohë që duhet ta pranojmë situata paraqitet problematike në urgjenca, ka fluks dhe sidomos në urgjencën e spitalit nr. 1.  

Sa ka arritur qëllimin sistemi i referimit, a ka ulur pagesat informale?

Vetëm në një arkë, të ardhurat dytësore ishin 80-100 mijë lekë të vjetra në ditë, pas vendosjes së sistemit të referimit dhe informatizimit shkuan 600-700 mijë lekë të vjetra në ditë. Në këtë mënyrë shmanget fluksi i panevojshëm i pacientëve dhe rrit cilësinë e shërbimit.

Nga ana tjetër, QSUT vazhdon të vuajë nga mbipopullimi i pacientëve. Çfarë problemesh të tjera nuk ka arritur të filtrojë referimi?

Ka edhe shumë probleme, pasi në shumë rrethe mungojnë mjekët specialistë. Pacienti detyrohet të shkojë ose te mjeku i qarkut ose të vijë tek ne. Problem është edhe ekzaminimet laboratorike. Na mungon një hartë e plotë e ekzaminimeve që duhet të bëjmë, pra ne nuk jemi të qartë se çfarë analizash duhet të bëjë lagjja dhe çfarë nuk duhet të bëjë. Problem tjetër janë edhe ekzaminimet e shtrenjta, të imazherisë. Situata dhe harta e imazherisë ka ndryshuara 100%, pasi në shumë rrethe të vendit ka skanera. Ne vazhdojmë të punojmë me një urdhër të vitit 2003, duke ofruar këto ekzaminime për të gjithë pacientët e Shqipërisë. Ka ardhur momenti që të shpërndahet kjo hartë.

Sa transparente është dhënia e këtyre shërbimeve, sa e dinë?

Patjetër që është shumë transparente pasi tek çdo arkë është lista e ekzaminimeve dhe çmimet respektive. Në momentin që pacienti është konform sistemit, merr edhe faturën për vizitat dhe ekzaminimet përkatëse. Ka ulur maksimalisht vizitat jashtë vendit të konsultave.

Po për sa u përket protokolleve mjekësore, në çfarë faze ndodhen?

Kanë filluar me shumë sukses disa hallka, pasi kanë kaluar të gjitha feedbacket. Së pari janë hartuar protokollet mjekësore të cilat kanë kaluar të gjitha feedbacket. Çdo shërbim, minimumi 10 diagnoza të tij, ka hartuar protokollet. Për kotsifikimin e çdo diagnoze është ngritur një grup pune ndërmjet QSUT, ISKSH dhe MSH për të nxjerrë kosto reale. Për të harruar njëherë e përgjithmonë buxhetet historike dhe për të kaluar në buxhete faktike, për diagnozë. 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›