E Diel, 1 Nëntor 2026

Të fshehtat e një burri

Edhe pak e do të mbërrinte mesdita e 6 janarit 1873, kur Alessandro Manzoni, ndërsa ngjiste shkallët e kishës milaneze të San Fedeles, u pengua. Ra dhe përplasi ballin. Me t‘u ngritur, pa se në cepin e njërës shkallë prej mermeri të bardhë kishte mbetur një njollë e kuqe. E ndjeu veten të dobët, por i dha forcë: e rëndësishme, për atë që gjithnjë kishte pasur fobi nga vendet e hapura, ishte të largohej prej aty para se t‘i merreshin mendtë. Duke vënë një shami mbi plagë dhe duke i mbajtur sytë hapur aq sa të kishte mundësi të shihte se ku i vendoste këmbët, Manzoni arriti rrugën "Morone", ku jetonte prej 60 vitesh. Me familjarët u qa gjatë, ashtu siç e kishte zakon të bënte sa herë që ndonjë telash, i madh a i vogël të ishte, e godiste. Donte të shtrihej dhe të fashonte ballin. Pak orë më vonë, duke e ndier veten më të qetë, priti miqtë që kishte ftuar për bisedë. U tha atyre se në moshën 87-vjeçare e dhjetë muaj dhe për më shumë me një goditje në kokë, nuk është se ia kalonte edhe aq keq. Por ky ishte vetëm fillimi i një fundi të dhimbshëm dhe të trishtë. Mëngjesin e 7 janarit, duke e dëgjuar teksa fliste, të afërmit kuptuan se Manzoni nuk ishte më ai i pari. Memoria e tij, shpesh e cilësuar si e mrekullueshme, ishte mbushur me boshllëqe. Gati si për të kompensuar hijet, drita të papritura ndizeshin në mendjen e vuajtësit të madh që shumë njerëz, dhe jo vetëm në Milano, e quanin "shenjt". Ishin imazhe dhe zëra, e mbi të gjitha keqardhje që vinin si për t‘i bërë keq në pikën më ekstreme të rrugës së tij të gjatë, i shkatërronin qetësinë të cilën me aq shumë mund e kishte arritur. "Mendoj se si ndëshkim i mosbesimit antik, më vjen ndonjë mendim kundër rrëfimit tim". "Ja se çfarë pyetje i bëj vetes: Falësi do të më ketë falur në gjithçka"? Fliste me vete, me zë të lartë, duke u vërtitur nëpër shtëpi si një shpirt i përhumbur. Ditë pas dite numri i fantazmave shtohej, ato bëheshin gjithnjë e më gjigande, përballeshin me maestron, duke i sjellë në mendje kujtime të varrosura, por jo të djegura. "Të kujtohet Alessandro, dita kur more vesh se nuk ishe biri i Don Pietro Manzoni-t, por i Giovanni Verri-t, dashnorit të parë të nënës tënde? Përse heshte, edhe pse e dije se të gjithë shumë para teje e kishin marrë vesh këtë lajm, por u adaptove me këtë komedi të padenjë? Të kujtohet shërbyesja 20-vjeçare e shtëpisë tënde, nderin e së cilës e vure në diskutim duke ia hedhur fajin Luigi Arese-s, bashkautorit të prapësive që bëje? Jo, ti nuk mund të thuash nuk mundem: kanë kaluar shumë vite... Por të paktën kujtohu për krijesën tënde që ajo e mjera solli në jetë. Thuaj, "i nderuar" zotëri, si është shkruar në letrat që ke marrë, ishte mashkull a femër? Të kujtohet vera kur fëmijët e djalit tënd (Enrico-s, duke qenë se Filippo-n e le të kalbej në burg) erdhën të të takonin dhe të zgjonin pak dhembshuri brenda teje, dhe ti pa lëvizur mezi denjove t‘u hidhje një vështrim të vetëm"? Nga humbëtirat ku kishte rënë, duke mos kthyer dot përgjigje, shpesh e akuzonin edhe për faje që nuk ishin të tijat, e megjithatë një ditë ai u zgjua, në fillim të majit, për një orë të vetme sa për të mësuar mbi vdekjen e djalit më të dashur, Pietros, e cila kishte ndodhur më 28 prill. Pas kësaj, mendja e tij u plandos në zbrazëti. "Sot, tha maestroja në një moment ekstrem përndritjeje, m‘u rikthye në gji, por pata një dhimbje të madhe". Manzoni ndërroi jetë në orën 17:45 të 22 majit të vitit 1873, pasi ishte rrëfyer ashtu siç mundte, te Don Vitaliano Rossi. Ishte 88 vjeç e dy muaj, duke qenë se kishte lindur më 7 mars të vitit 1785. E pashpjegueshme është se si agonia e gjatë dhe gjithë vuajtje nuk e kishte shenjuar aspak fytyrën e tij. Ceremonia ishte tepër solemne. Sovranë dhe njerëz të politikës erdhën nga e gjithë bota, letrarë dhe lexues të thjeshtë dërguan fjalë ngushëllimi për zhdukjen e krijuesit të Renzo-s dhe Lucia-s, personazheve të romanit të famshëm "Të fejuarit". Pyetja këmbëngulëse mbeti gjatë pa përgjigje. Çfarë burri kishte qenë në të vërtetë Alessandro Manzoni? Zakonisht, në jetën e një burri gjeni flitet shpesh për emrin e një gruaje. Kartela e Manzonit kishte tri emra: Giulia Beccaria, Enrichetta Blondel dhe Teresa Stampa. Të njohësh këto tri gra dhe në mënyrë të veçantë të parën, do të thotë të njohësh pak edhe enigmën që Manzoni si burrë përfaqësoi për bashkëkohësit por edhe për familjarët e tij. Giulia është nëna e tij dhe Alessandro, duke u rritur gjithnjë e më shumë, kuptonte dramën që ajo vuajti gjatë jetës. Në vitin 1807, me vdekjen e babait birësues, Don Pietro, ai njihet me engjëlloren Enrichetta Blondel, gruan e tij të parë. Asokohe, Alessandro ishte 22 vjeç, ndërsa ajo 16. Një vit më pas ajo u bë zonja Manzoni. Enrichetta e frymëzoi atë për personazhin e Lucia-s. Prania e saj e ndryshoi për një kohë shumë të shkurtër Manzonin e ri. Pa praninë e saj, ndoshta sot njerëzimi do të kishte një kryevepër më pak. Enrichetta ndërroi jetë më 25 dhjetor të vitit 1833. Po të mos kishte qenë aq engjëllore sa ishte, do të kishte vdekur e dëshpëruar, sepse la pas shumë fëmijë. Tri vite më pas Manzoni u martua sërish. E përzgjedhura ishte një grua jo shumë e re, e as shumë e bukur: Teresa Borri, e veja e Stampa-s. Kjo martesë u komentua prej shoqërisë së kohës. Kishte nga ata që mendonin se ishte e parakohshme. Tri vite nuk ishin të mjaftueshme për të harruar gruan e parë, aq shumë të dashur për shkrimtarin. Por për Manzonin po lindte një ndjenjë e re. Kishte dashur të martohej sërish, sepse i peshonte të qenit i ve. Kishte nevojë për një grua. Kishte kaluar fatkeqësi të mëdha që nga vdekja e Enrichetta-s. Tri prej vajzave të tij vdiqën, me djemtë nuk kishte marrëdhënie të mira, ndaj duhej të gjente ngushëllim. Ai ishte Manzoni që e gjithë Europa e admironte, më të mëdhenjtë e kohës së tij i përkuleshin në gjunjë. Pati një periudhë kur dukej sikur shkrimtari i moshuar vuante faktin se u kishte mbijetuar shumë prej humbjeve të të dashurve. Kriza e nervave i errësoi mendjen. Vetëm kujtesa, e cila ishte ende e qartë dhe e pastër, ia bënte të durueshme jetën. Ajo i jepte mundësi të jetonte. Pastaj, 6 janari i vitit 1873 e privoi shkrimtarin edhe prej kujtimeve. "Është e kotë, e kotë. Nuk jam më unë". Me këto fjalë, Manzoni ra në agoninë e gjatë deri sa ndërroi jetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›