Saimir Pirgu, rrugëtimi i tenorit shqiptar
Historia e tij ngjan nga ato të stisurat prej shkrimtarëve me fantazi të shfrenuar. Në këtë mes ai është personazhi. Djaloshi që prek një ëndërr. E vërteta e tij nis diku në lagjet e Elbasanit, kur ende 6-vjeçar, Saimir Pirgu, sot një tenor që ngjit skenat e botës, i lidh ditët me violinën. Me mundësitë modeste të familjes normale, prindërit vendosin t‘u japin gjithnjë shtysë dëshirave të tij. Nga violina në këngë, skenat e festivaleve për fëmijë janë të parat ngjitje të djaloshit që nuk dinte se ku do mbërrinte. Veç kërkonte. Lëvizja e parë ishte nga Elbasani në Tiranë, nga liceu artistik "Onufri" në atë "Jordan Misja", qoftë edhe me koston e një jetese në konvikt. "Im atë mendonte ndryshe. Ai është jetim. Më tha se nuk dëshironte që edhe unë, djali i tij, të rritesha vetëm, duke jetuar në struktura publike, një përvojë të cilën ai e kishte kaluar vetë. Kështu, për të mbështetur aspiratat e mia, prindërit shitën apartamentin tonë në Elbasan dhe të gjithë familjarisht u transferuam në Tiranë. Jetuam në një shtëpi me qira në periferi, në zonën e Qytetit të Nxënësve", kujton ai. Nuk mund të ndahet nga e shkuara. Ditët që jeton sot nuk ngjajnë aspak me të dikurshmet, por i përkasin atij. Sakrificat po ashtu. Pas diplomimit në vitin 2000, Instituti Italian i Kulturës, shpërndan formularë që orientonin studentët për shkolla të mundshme jashtë shtetit. Mes Romës, Milanos, Torinos, Pirgu zgjedh Bolzanon. Kërkoi të bëjë një hap më të vogël, por të sigurt. Koha tregoi se zgjedhja ishte e duhur. Atëkohë, që ai e kujton me moton "të ikim nga Shqipëria", më shumë sesa përsosja si muzikant, kishte më shumë rëndësi largimi. Edhe nëse nuk do ta kishte fituar atë konkurs, sërish kishte parashikuar të mos kthehej. Ditët si student nuk ishin nga më të mirat. Pirgu, një i ri shqiptar, ndonëse dallonte mes studentëve të tjerë, provoi të bënte edhe pjatalarësin, të pranonte të këndonte në koncerte modeste sa për të fituar diçka. Këtë rrugëtim mund ta kenë përshkruar edhe shumë të tjerë, atëkohë edhe sot. Por pas një suksesi kërkohet gjithnjë të gjendet diçka. Në këtë mes e shkuara është ajo që ndriçohet e para. Tenorit shqiptar i është dashur të flasë shpesh për të. Është një pyetje që nuk mungon në intervista që marrin shkas nga suksese të radhës. Viti 2002 nis ta shpërblejë për këmbënguljen. Fiton dy çmime të rëndësishme, "Enrico Caruson" në Milano dhe "Tito Schippan" në Leçe ndërsa vetëm një vit më vonë vjen bashkëpunimi me mjeshtrin Claudio Abbadon, për operën "Così fan tutte". Audicione, ftesa, bashkëpunime, do ta çonin në të ardhmen në skena operash të njohura, në krah të emrave më të mëdhenj të operistikës. Edhe vetë pranon se fati i solli një karrierë të pasur, në një moshë ende të re. Sot është 28 vjeç. Është rikthyer rrallë në Operën e Tiranës. Jo vetëm sepse kalendari i tij artistik shënon shfaqje deri në vitin 2011, por edhe për mënyrën se si punohet në Shqipëri. Këto ditë ka veshur petkat e Alfredos të Verdit. Me një Violetë të sjellë nga sopranoja franceze, Natalie Dessay, gjatë gushtit do të interpretojë edhe gjashtë shfaqje të tjera në skenën e operës "Santa Fe" në Amerikë. Pirgu mendon se Alfredo është një nga ato role që i shkojnë për shtat karakterit të tij. Ashtu si edhe Duka i Mantovës në operën "Rigoletto". Të paktën për momentin. Në të ardhmen në role si Romeo beson se do të gjejë vetveten. Në përpjekje për të pozicionuar veten si zë lirik, në jetën profesionale të Pirgut do të hynin edhe emra të njohur për publikun e gjerë. Një prej tyre, Pavaroti, me të cilin përveç profesionit e lidhi edhe miqësia. Ishte një njohje e rastësishme, por që për të do të kthehej në një përvojë të veçantë. Për vlerësimin që tenori shprehte për të riun, por edhe për vlerësimet e vazhdueshme të kritikës, shumë shpesh gazetat e quajtën Pavaroti i ri. Por për të është shumë i vështirë krahasimi me tre tenorët apo me tenorët e shekullit të shkuar. "Artistë shumë të mëdhenj për t‘u zëvendësuar nga ne të rinjtë", shprehet ai dhe kujton se ata mbajnë shumë vite karrierë. Ndërsa e quan një nisje të mirë gjithë këtë që ka arritur vetë. Interpretimi me Placido Domingon do ta bënte edhe njëherë protagonist të botës muzikore, kurse viti i shkuar i ofroi një tjetër bashkëpunim me një nga emrat e njohur të Hollivudit. Saimir Pirgu qe pjesë e operës "Gianni Sciçhi", me regji të Woddy Allen, i cili provonte për herë të parë në gjininë e operës. Tenori shqiptar e përshkruan si një përvojë të veçantë, sidomos për vlerësimin që Allen u bënte si artistë. Gjithsesi, kjo nuk e josh të provojë diçka tjetër, diçka që mund të ketë të bëjë me kinematografinë. Deri më tani pjesë e repertorit të tij janë personazhe të operave të njohura si Ferrando te "Cosi fan tutte", Don Ottavio te "Don Giovanni", Nemorimo te "L‘elisir d‘amoure", Fenton te ‘Falstaff", Edgardo te "Lucia di Lammermoor", Romeo te "Romeo e Juliette" etj. Lista pret të shtohet në të ardhmen. Skena e bashkëpunime të tjera do të shënohen në jetën e tij artistike. Nisur nga vetja, ka një këshillë për ata të rinj që duan dhe ëndërrojnë t‘i bëjnë të vërteta sukseset: Të mos hiqnin kurrë dorë. Secili ka fatin e tij dhe vendin e vet në botë. E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të arrish maksimumin e asaj që të lejojnë aftësitë e tua".