E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fundit nga kampet e Superligës

PARTIZANI – Nënkampionët e Shqipërisë i dhanë fund përgatitjeve të dyta në Pogradec dhe sot rikthehet në Tiranë, për t'i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e kthimit kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg. Ndeshja e parë e turit të parë eliminator të Kupës UEFA përfundoi 0-0.
ELBASANI – Verdheblutë - shumë aktivë në merkato ditët e fundit – do të rikthehen sërish në Pogradec për të vazhduar pjesën e dytë përgatitore nën urdhrat e Josës. Në këtë fazë stërvitore me 2-herë kampionët e Shqipërisë do të bashkohen edhe Endri Vrapi e Erbim Fagu.
SHKUMBINI - Peqinasit pas testit të humbur 2-1 me Shkëndien e Tetovës, do të zhvillojë të martën miqësoren me Tiranën. Në ekip është rikthyer sërish portieri Ervin Llani, ndërsa është larguar portieri serb, Ivan Dilic.
FLAMURTARI – Vlonjatët pas përfundimit të pjesës së parë përgatitore në Maqedoni, do të kryejnë një tjetër fazë në Slloveni.
LUSHNJA – Pas përgatitjes trejavore në Divjakë, trajneri Bano është i bindur se Lushnjës i duhen përforcime cilësore në vijën e parë.
BYLIS – Ballshiotët duken se janë përshtatur me Pocemin, pasi trajneri Sejdini ka kërkuar sërish ta përfundojë fazën përgatitore po aty. Bylis është në kërkim të një portieri të dytë, pasi ka vetëm nigerianin Emanuel Egbo, i cili më parë ka luajtur edhe për Tiranën. Nga Bylis janë larguar së fundi sulmuesit January Ziambo, Xhibril Sisoko, Amarildo Dimo, por dhe mbrojtësit Arben Prela, Vaslivjevsk Lama e Renald Bedini.
APOLONIA – Fierakët i dhanë fund fazës përgatitore në Malin e Zi, duke nisur stërvitjen në kompleksin e tyre stërvitor. Bilanci i miqësoreve të ekipit të Gerti Haxhiut me dy skuadrat malazeze: nj fitore 2-0 dhe një humbje 1-0. 8 lojtarë të rinj janë afruar te Apolonia: 3 shqiptarë e 5 të huaj (të gjithë serbë). Kanë spikatur Ferizovic e Haxhigulic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›