E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gatshëm për ndihmë

Gjatë një vizite në Shkodër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës u shprehën të gatshëm të ndihmojnë Komunën e Mitrovicës në ngritjen e shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletinit në Mitrovicë.

Kastrati, fillimisht ka shprehur kënaqësinë e tij për realitetin e ri që ka mundësuar një bashkëpunim vëllazëror ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë kontekst, Kastrati ka theksuar se kjo mundësi duhet të shfrytëzohet shumë më tepër për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të mira.

Pasi ka folur për situatën në Mitrovicë dhe për sfidat me të cilat përballen qytetarët e kësaj komune, Kastrati ka përmendur edhe nevojën për një koordinim të përbashkët sa i përket aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Është ky një përvjetor i madh, dhe ne të gjithë duhet të festojmë së bashku”, pohoi Kastrati.

I pari i Mitrovicës gjithashtu theksoi se ndër projektet që në kuadër të këtij përvjetori parashihen të realizohen në Mitrovicë është edhe rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, si dhe ngritja e një shtatoreje të tij në qytet.

Sipas tij, shtatorja e Isa Boletinit në Shkodër është një model i mirë që do të mund të shfrytëzohej edhe në Mitrovicë.

Nga ana tjetër, sa i përket realizmit të projektit për ngritjen e shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ka shprehur gatishmërinë e plotë që të ndihmojë me të gjitha kapacitetet. Ai nënvizoi se Bashkia e Shkodrës është e hapur që modeli i shtatores në Shkodër të përdoret edhe në Mitrovicë.

“Neve vetëm do të na nderonit nëse zgjidhni që edhe në Mitrovicë të ngritni një shtatore të ngjashme sikurse kjo e Isës në Shkodër”, pohoi Luka.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›