E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI i kthehet çështjes së gruas, menjëherë pas Pashkëve

10-04-2012 / Gazeta 55

Ati i Shenjtë, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, flet për kuptimin e Ngjalljes së Krishtit, ngjarje që ia ndërroi faqen historisë dhe rolin e grave, sipas Ungjijve

Kuptimi i misterit të Ngjalljes dhe roli i grave në rrëfimin e Ungjijve, ishin në qendër të reflektimeve të Papës në lutjen mariane të Kohës së Pashkëve drejtuar Mbretëreshës Qiellore, nga Kastel Gandolfo. E hëna pas Pashkës, në shumë vende të botës është ditë pushimi, në të cilën mund të bëhen shëtitje të këndshme në gjirin e natyrës, ose të shkohet për vizitë tek familjarët e largët, për t’u mbledhur rreth sofrës gjithë së bashku. Kështu e kremtja fiton ngjyrime të reja e shkëmbimi i urimit: “Për shumë vjet-gjithë bashkë”, bëhet edhe më prekës. Këtë kujtoi Papa në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore. E, më pas, uroi që të krishterët të mos harrojnë kurrë pse pushohet në këtë ditë, të mos harrojnë se është dita e dytë pas Ngjalljes së Krishtit, misteri vendimtar i fesë sonë, e të reflektojnë për tregimet e ungjilltarëve kushtuar Ngjalljes. Janë tregime që, në mënyra të ndryshme, përshkruajnë takimet e dishepujve me Krishtin e ngjallur, shpjegoi Benedikti XVI, e na nxisin të meditojmë për këtë ngjarje mahnitëse, që e shndërroi historinë, duke i dhënë kuptim jetës së çdo njeriu. Papa nënvizoi se vetë ngjarja e Ngjalljes, si e tillë, nuk përshkruhet nga Ungjilltarët e, në vijim, shpjegoi se “... mbetet misterioze, jo në kuptimin më pak reale, por e kryer në fshehtësi, përtej kufijve të mendjes sonë: si dritë lëbyrëse, së cilës nuk mund t’ia ngulësh sytë, përndryshe, do t’i verbonte”.
Ndërkaq rrëfimet nisin që nga çasti kur, në agimin e ditës pas së shtunës, gratë shkojnë tek varri për të vajuar trupin e Krishtit të vdekur, mbështjellë për ngut me çarçaf menjëherë pas zbritjes nga kryqi. Nuk e gjejnë. Varri është i hapur, i zbrazët, Shën Mateu, në rrëfimin e tij, flet për një tërmet e për një engjëll plot dritë flakëruese, që rrotullon gurin e rëndë nga gryka e varrit, për t’u ulur, pastaj mbi të. Është kasneci me flatra i Ngjalljes! Ai ua jep lajmin e madh grave. E ato, duke u dridhur sa nga frika, aq nga gëzimi, vrapojnë t’ua japin dishepujve. Pikërisht në këtë çast, takojnë vetë Jezusin. Gratë, kujtoi Benedikti XVI, janë shumë të pranishme në misterin e Pashkëve: “Në të gjithë Ungjijtë, gratë kanë hapësirë të madhe në rrëfimet mbi dukjen e Jezusit, ashtu siç kanë edhe në rrëfimet mbi mundimet e vdekjen e Krishtit”. E pas këtij shpjegimi, që i çoi besimtarët në epokën kur ndodhen ngjarjet e Pashkëve të Krishtit, Benedikti XVI u rikthye në të sotmen: “Asokohe në Izrael, dëshmia e grave nuk mund të kishte vlerë zyrtare, juridike, por ato përjetuan një çast krejt të veçantë të lidhjes me Zotin, themelor për jetën konkrete të bashkësisë së krishterë, e kjo ka vlerë përgjithmonë, në çdo epokë, jo vetëm në hapat e para të Kishës”.
Modeli më i përkryer e më i pashembullt i lidhjes me Jezusin, vijoi Papa, e në mënyrë të veçantë, i lidhjes me misterin e tij të Pashkëve, natyrisht është Maria: “Pikërisht përmes përvojës shndërruese të Pashkës së Birit të saj, Virgjëra Mari bëhet edhe Nënë e Kishës, domethënë, e të gjithë besimtarëve dhe mbarë bashkësisë së tyre”.
Pas lutjes, drejtuar Mbretëreshës Qiellore, Papa uroi që Maria të na ndihmojë ta provojmë praninë e gjallë të Zotit, burim i shpresës e i paqes për secilin nga ne.
E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen se Krishti Gjallë përuron një jetë të re/Kremtimi i Pashkëve liturgjikisht zgjatet gjithë javën, këtë javë, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit.
Sot e Hëna e Engjëllit është bërë më tepër festë profane, ka marrë formën e një shëtitjeje jashtë qytetit e cila, për ata që i kanë kremtuar siç duhet Pashkët, është gjë e bukur, është vijim i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim, sepse do të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet se çka përkujton. Ndërsa për të krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili u duket grave, e prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Java pas Pashkëve, të cilën sapo e kremtuam, quhet in Albis, sepse të posa pagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha - e in albis do të thotë “me të bardha” – deri sot, në të dielën ‘in Albis’. Të gjitha 50 ditët e kohës së Pashkëve, që shkon deri për Rrëshajë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve. E në të vërtetë, e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues! Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime. Shpirti i Shenjtë është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Hyjit, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e vetjes. Sigurisht nuk kemi figurat. Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull, që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit e e pajis njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta kështu jeta do të ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterët.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›