Nga Irani: Tonelata me C4 në ShqipëriNga Lorenc Vangjeli, Revista “Mapo”Në Shqipëri ka mbërritur dhe eksploziv plastik C4. Provat e siguruara nga revista “Mapo” nuk lënë më asnjë dyshim: Ministria e Mbrojtjes, në vitin 2006, ka porositur nga Republik
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nga Irani: Tonelata me C4 në ShqipëriNga Lorenc Vangjeli, Revista “Mapo”Në Shqipëri ka mbërritur dhe eksploziv plastik C4. Provat e siguruara nga revista “Mapo” nuk lënë më asnjë dyshim: Ministria e Mbrojtjes, në vitin 2006, ka porositur nga Republika Islamike e Iranit, në të paktën tri raste, ngarkesën e frikshme, e cila nuk ka përdorim industrial, por që bëhet një armë e fortë, kur bie në duar të gabuara. Një certifikatë e përdoruesit të fundit, End User, e firmosur nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi, aktualisht person i marrë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, është vetëm njëra nga provat që e vërtetojnë një gjë të tillë. Sipas dokumentit zyrtar, “vërtetohet se mallrat e mëposhtme janë për MEICO-n, kompania e eksport-importit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk janë të destinuara për ri-eksport në vende të tjera jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë”, - thuhet në këtë dokument. Dhe mallrat ishin: Eksploziv plastik C4, i llojit Mil-C-45010 dhe fill detonues. Për një nga rastet e eksportit enigmatik bëhej fjalë për 3500 kilogramë eksploziv që teorikisht duhet të kenë hyrë në Shqipëri pa të drejtë daljeje, i shoqëruar nga 30 mijë metra linearë fill detonues.
Eksplozivi plastik
Historia e blerjes së armatimit nga R. I. Iranit merr kështu një përmasë shqetësuese. Për çfarë qëllimi është porositur dhe është blerë kjo sasi e paimagjinueshme eksplozivi që nuk mund të hyjë në punë për përdorim paqësor e civil? Ku ka përfunduar? Dhe mbi të gjitha, ku ndodhet tani, si dhe sa është përdorur dhe a është përdorur për t´u rishitur? Burime konfidenciale të revistës “Mapo” pohojnë se malli i frikshëm pretendohej se do të përdorej nga një deputet i Partisë Demokratike, i cili ka në pronësi një gurore. Por edhe në këtë rast, një gjë e tillë është e pamundur. Inxhinierë specialistë të fushës pretendojnë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë: Eksplozivi C4 ka vetëm përdorim për qëllime ushtarake.
Kërkesa dhe oferta
Në datën 15 shkurt 2006, një letër zyrtare niset nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes; adresa e marrësit është “Modlex/Export Centre”. Një kërkim në Google e bën të qartë se marrësi është homologu iranian i MEICO-s shqiptare. Shkresa i drejtohet menaxherit të kompanisë iraniane, R. Rahmani. Dhe zotit Rahmani i kërkohet të bëjë një ofertë, fillimisht për gjysmë toni me eksploziv plastik C4. I premtohet gjithashtu dhe se Ministria e Mbrojtjes do të aplikonte për të marrë/provuar certifikatën e përdoruesit të fundit, End User, që do të garantonte shitësin se malli nuk do të rieksportohej nga Shqipëria.
“Mapo” ka siguruar dhe një prej këtyre certifikatave, që u sipërcitua, të firmosur nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullahi. Jo vetëm për gjysmë toni C4, por për tre tonë e gjysmë C4. Një gjë e tillë vërteton të paktën sasitë minimale të këtij lloj eksplozivi të hyrë në Shqipëri. Mund të ketë pasur edhe importe të tjera të këtij malli, por kjo është vetëm një mundësi, sa kohë që nuk ka dokumente që ta provojnë atë.
Ka pasur dhe një tentativë për eksport, kësaj radhe në drejtim të përkundërt; nga Tirana në Teheran. Shqipëria afronte zyrtarisht hexogen, lëndë e parë për prodhimin e lëndëve plasëse. Shqipëria vinte në dispozicion për shitje 100 tonë hexogen, të vitit të prodhimit 1987, të paketuar në fuçi druri, secila me peshë 48 kilogramë. Çmimi që ju afrohej për negocim iranianëve ishte 500 dollarë për ton. Origjina e këtij malli ishte Shqipëria; hexogeni ishte prodhuar nën licencën BOFORS. Nuk ka të dhëna, nëse është kryer realisht ky eksport.
Edhe serbë e boshnjakë në “lojë”
Hyrja eksplozivit plastik C4 në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë. Largësia mes dy vendeve dhe mbi të gjitha llojit i mallit që do të transportohej, e bënte ardhjen e tij në Tiranë një aventurë të vërtetë. Dhe aventura kaloi dhe në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë.
Një tjetër shkresë zyrtare është prova e kësaj dërgese delikate. Ajo i është drejtuar një agjencie dërgimi serbe, SPEDAL, krijuar pas privatizimit të JugoSped në Beograd. SPEDAL, me qendër në Banja Luka, Bosnjë-Hercegovinë, është ndërmarrje për dërgim të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe është krijuar në 2001. Shërbimet që afron kjo kompani janë eksport-import mallrash deri në peshën 2.8 tonë dhe mbulojnë të gjitha destinacionet evropiane.
Këto shërbime të kësaj kompanie janë kërkuar nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes në datën 4 maj 2006.
Në shkresën zyrtare thuhet: “Ne kemi interes të importojmë nga Ministria iraniane e Mbrojtjes dy artikuj, ju lutemi na jepni ofertën tuaj për transportin e tyre. Destinacioni: Teheran (Iran) - Tirana (Albania). Dhe dy artikujt janë një ton eksploziv C4 dhe 10 mijë metra linearë fill detonues”. Nga kryqëzimi i këtyre dokumenteve bëhet e qartë se bëhet fjalë për të paktën tri ngarkesa me eksplozivin e famshëm C4; 500 kilogramë, 1000 kilogramë dhe 3500 kilogramë. Ku kanë mbërritur? Kur kanë mbërritur. Për çfarë janë dashur? Këto janë pyetje, të cilave vështirë se iu jepet përgjigje njëherë për njëherë. Enigmat gjithsesi janë të thella dhe shumëplanëshe.
Armë nga Koreja e Veriut dhe Irani
Një numër më parë, revista “Mapo” botoi prova se Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka kontaktuar zyrtarisht dhe ka kërkuar të blejë armë nga dy vende të largëta; Koreja e Veriut dhe Irani. Në rastin e parë, në këmbim të katër milionë dollarëve, Shqipëria kërkonte një sasi raketash SA-16 dhe SA-18. Ato janë raketa tokë-ajër, ajër-ajër dhe vihen në përdorim nga mjete të blinduara, mjete ajrore, por dhe nga këmbësoria.
Nga Republika Islamike e Iranit, Shqipëria, po zyrtarisht, ka kërkuar të blejë raketa tokë-ajër të llojit Toufan & Toufan, Ababil 2 dhe 3, Mohajer 2, Manpads Misagh 1, sisteme komunikimi Gooya-600 dhe Gooya-603, si dhe mitraloza të rëndë e granatahedhës të kalibrit 40 milimetra.
Ambasada e Republikës Islamike e Iranit e ka përgënjeshtruar këtë biznes ushtarak mes dy shteteve. “Mapo” boton të plotë reagimin mohues të ambasadës, por dhe një pjesë të dokumenteve që ka në dispozicion dhe që provojnë krejtësisht të kundërtën.
Kontaktet mes Shqipërisë dhe këtyre dy vendeve kanë nisur në vjeshtën e vitit 2005, kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes u emërua zoti Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane. Zoti Mediu u dorëhoq nga detyra tri ditë mbas shpërthimit të tragjedisë së Gërdecit dhe aktualisht është nën akuzë penale për shpërdorim detyre në lidhje me këtë tragjedi. Zoti Mediu dhe partia e tij janë pjesë e koalicionit qeveritar të kryesuar nga Partia Demokratike.