Të gjitha hilet për vjedhjen e votës
Shqipëria ka mbetur gjithmonë në një provim: nuk ka mundur të realizojë zgjedhje të ndershme, të lira dhe sipas standardeve evropiane. Për ironi të fatit, të vetmet zgjedhje të pakontestuara deri më tani, i kanë organizuar komunistët e Partisë së Punës në mars 1992. Kësaj radhe është momenti që një ish-komunist si kryeministri Sali Berisha të bëjë betejën e tij të jetës, të vetmen që nuk e ka fituar kurrë: të respektojë votën e qytetarëve shqiptarë. MAPO ka listuar një listë të zezë me 13 mënyra sesi është deformuar vullneti i qytetarëve
Nga Lorenc Vangjeli, MAPO
Ka qenë gjithmonë një lojë luftash hilacakësh të vegjël. Të cilët më pas kanë kërkuar një pushtet të madh vetjak. Bëhet fjalë për zgjedhjet. Bëhet fjalë për mollën e helmuar dhe të ndaluar të shqiptarëve në të gjithë këto 20 vjet postpluralizëm: respektim standartesh zgjedhore, sipas kuptimit evropian të fjalës. Asnjë qeveri, me përjashtim të komunistëve të vitit 1992, siç pranohet gjerësisht, nuk ka mundur të numërojë lirisht votën e qytetarëve. As demokratët e gjysmës së parë të viteve 90´, që shkatërruan institucionin e zgjedhjeve në maj 1996 dhe as socialistët që i zëvendësuan ata, nuk kanë mundur të garantojnë një proces të ndershëm dhe të rregullt votimi. Edhe zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në 28 qershor 2009, ndonëse …shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit lidhur me numërimin e votave dhe hartimin e tabelave të rezultateve, gjë që përkohësisht bllokoi procesin e numërimit në disa zona, si edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore. Këto veprime të partive politike lëkundën besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ky përcaktim i shkëputur nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it dhe mbi 30 rekomandime të shenjuara për t´u ndrequr për proceset e ardhshme, në një mënyrë apo një tjetër, janë simptomat kryesore të sëmundjes elektorale në Shqipëri. Edhe këto zgjedhje administrative, po zhvillohen në një ambient të helmuar me dyshime dhe me ankthin e njëtrajtshëm: do të jetë e lirë dhe e pamanipuluar vota e qytetarit shqiptar. Sipas Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, kjo gjë është një detyrim, sipas praktikës fatkeqe të këtyre viteve, është një rrezik real.
Revista MAPO ka listuar një sërë hilesh elektorale, një listë të zezë me truke, të cilat kryesisht i përdor kush i organizon zgjedhjet dhe kush ka më shumë mundësi financiare, domethënë qeverisja. Ato janë të shumta dhe nga më të çuditshmet. Por që kanë ndodhur.
Ndryshimi i listave
Listat e votuesve kanë qenë për një kohë të gjatë jo thembra e Akilit, por vetë Akili zemërak që ka shkatërruar themelin e procesit. Në listat paraprake të votuesve, një studim i detajuar, botuar edhe në dy numra të MAPO-s, nxirrte se në ato lista ekzistonin rreth 50 mijë emra të dubluar. Në kuptimin që, i njëjti votues, me të njëjtin emër e mbiemër, me të njëjtën atësi e mëmësi, me të njëjtën datëlindje dhe vendlindje, ekzistonte më shumë se njëherë në listat e votuesve. Kryesisht banorë të zonave të veriut, të cilët ndodheshin edhe në listën e zonës së tyre të dikurshme, edhe në Tiranë e gjetkë. Po kështu edhe njerëz të cilët ishin të vdekur, por nuk ishin çregjistruar nga regjistrat e gjendjes civile dhe ndodheshin në listat zgjedhore. Një pastrim përfundimtar i listës, ka hequr diçka më shumë se 20 mijë votues të tillë fiktivë dhe qytetarë të moshës mbi 100 vjeç.
Lëvizjet nga zona në zonë
Një kryeplak në një minibashki të Tiranës kishte marrë me qera në apartamentin e tij rreth 14 vetë. Ata kishin ardhur nga rrethe të ndryshëm të vendit dhe ishin regjistruar si votues në Tiranë. Një rast tjetër tregonte sesi në Tepelenë, në një fshat të saj, ishin regjistruar si votues 31 banorë të Lazaratit, të cilët nuk i njihte askush në komunë, askush nuk dinte si kishin ardhur, por gjithkush e merr me mend sesi do te votojnë në 8 maj. Këto nuk janë thjesht përjashtime, janë një rregull fatkeq që është kërkuar të bëhet kudo ku ka qenë e mundur, edhe në këto zgjedhje.
Lëvizjet e tjera në qendrat e votimit bëhen dhe me një mënyrë tjetër: identifikohen votues që u dihen preferencat e tyre politike dhe atyre ju ndryshon qendra e votimit. Kryesisht i çojnë në skaje të largëta për të votuar, së pari për të pasur vështirësi për të identifikuar qendrën e tyre të votimit dhe së dyti, për t´i demotivuar ata që të votojnë.
Pagesa për ID e pasaportës
Janë të shumtë njerëzit që kanë dhënë dëshmi se individë të ndryshëm ju kanë bërë një ofertë të çuditshme: ju afrohet një sasi parash në këmbim të kartës së identitetit dhe të pasaportës, dy dokumentat pa të cilën qytetari e ka të pamundur të votojë. Fillimisht, identifikohen zgjedhës për të cilët është e sigurtë forca politike që ata mbështesin dhe më pas, në këmbim të parave të dhëna nga partia rivale, atyre ju thuhet se do të marrin dokumentat të nesërmen e ditës së votimit. Ata paguhen kryesisht me para të zezë. Në këto zgjedhje, një strukturë e posaçme e ngritur në PS ka verifikuar disa raste të tilla dhe me shumë gjasë, ato do të denoncohen në një moment të përshtatshëm politik për këtë forcë politike.
Votimi familjar
Eshtë një nga metodat e hershme të manipulimit të votës dhe me një historik të gjatë përdorimi në Shqipëri. Kryefamiljari apo dikush tjetër, mbledh të gjitha votat që i takojnë familjes së tij dhe i plotëson po vetë sipas preferencës vetjake. Ky lloj votimi është denoncuar pothuaj në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në vend dhe ka qenë pjesë e të gjitha raporteve kritike që janë bërë për procesin zgjedhor në vend. Kusht bazë për realizimin e tij është kompromentimi i komisionerëve dhe vëzhguesve dhe realizohet në zona të thella ku gjithkush, njeh gjithkënd. Eshtë konsideruar si një sëmundje foshnjore e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe gjithashtu mjaft e përhapur, kryesisht në zonat rurale.
Fotografimi i votës
Teknologjia e ka bërë punën e saj. Tani kushdo mund të posedojë një aparat celular që shërben edhe si aparat fotografik. Kush ka bërë pazar për shitjen e votës, e fotografon fletën e votimit përpara se ta palosë në dhomën e fshehtë. Foton e bërë me celular ja tregon personit të kontaktit që pret jashtë qendrës së votimit dhe aty paguhet për atë votë. Në zgjedhjet e 28 qershorit, një metodë e tillë u diskutua shumë, kryesisht për presionin që u bëhej punonjësve të administratës, kryesisht mësues, të cilëve ju kushtëzohej vazhdimi i marrëdhënieve të punës me demonstrimin e fotot së votës së tyre.
Treni bullgar
Kjo mënyrë e manipulimit të votës e ka marrë këtë emër sepse për herë të parë është përdorur në Bullgari. Një votues i lëkundur që ka ndarë mendjen të shesë votën, merr në dorë, jashtë qendrës së votimit, një fletëvotimi të plotësuar. Brenda në qendër merr fletën e pastër, por në kuti hedh fletën e parapërgatitur. Kur del jashtë, dorëzon fletën e pashenjuar dhe paguhet. Atë fletë, mbasi e plotëson njeriu i besuar, ja jep një votuesi të dytë dhe kështu me rradhë.
Shënimi i numrave fallso të ID e pasaportave