E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, pagesë shtesë për mjekët në Shkodër

ISKSH: Sherbim 24 ore per banoret e zonave te permbytura deri ne fund te emergjences. Stafi i ISKSH-se, kontribut financiar per banoret

Stafi mjekësor në shërbim 24 orë në zonat e përmbytura të Shkodrës do të marrë pagesë shtesë. Nga Shkodra është komunikuar vendimi nga drejtoresha e ISKSH-së,Elvana Hana, e cila deklaroi se mjekët që po shërbejnë në këtë kohë emergjence, do të simulohen financiarisht.

Stimuli

Më tej, Hana siguroi se shërbimi shëndetësor në qendrat e evakuimit në Shkodër, por edhe në komunat e përmbytura, ku ka ende banorë që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, do të vijojë të jetë 24 orë deri në fund të emergjencës. Drejtoresha e ISKSH-së, znj. Elvana Hana, në një vizitë të zhvilluar dje në qendrat e pritjes së të evakuuarve në Shkodër, u shpreh se mjekët që po japin shërbim në çdo kohë, do të stimulohen financiarisht nga ISKSH-ja për shërbimin e kryer.

Mjekët e qendrave shëndetësore do të vijojnë të jenë në shërbim 24 orë të banorëve të zonave të përmbytura përmes grafikut, tashmë të përcaktuar. Situata në terren, sikurse raportojnë mjekët, paraqitet e qetë dhe përveç disa rasteve të virozave të stinës, nuk ka pasur raste të rënda për t’u shënuar. Barnat e urgjencës nuk mungojnë, po ashtu edhe antibiotikët. Ndërkohë, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura, i gjithë stafi i ISKSH-së, në Tiranë dhe në rrethe, ka kontribuar financiarisht, në një shumë të konsiderueshme, e cila tashmë është derdhur në llogarinë bankare të vënë në dispozicion nga Qeveria për këtë situatë emergjente.

Situata

Situata shëndetësore në Shkodër po mbahet nën vëzhgim. Nga raportimet e fundit mësohet se në zonat e përmbytura situata shëndetësore po mbahet nën kontroll dhe se deri tani nuk ka rrezik shëndetësor. Njoftimet më të fundit që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, tregojnë se nuk ka asnjë rritje të sëmundshmërisë, madje është gjithçka nën kontroll dhe monitorim të përditshëm të ujit të pijshëm.

Në qendrat ku janë strehuar banorët e evakuuar dhe në komuna, shërbimi shëndetësor është siguruar 24 orë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Shkodër janë rreth 12000 persona të evakuuar, nga të cilët 1850 janë strehuar në konvikte, kurse pjesa tjetër tek të afërmit e tyre.

Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe specialistë të shëndetit publik, megjithëse i druhen shpërthimit të ndonjë epidemie deklarojnë se situata po mbahet nën vëzhgim. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vetëm pak ditë më parë deklaroi se nuk mund të bëhet një vlerësim i situatës epidemiologjike dhe se kjo do të nisë menjëherë sapo kjo situatë të përmirësohet. Ndërkohë, ai shtoi se janë marrë masat për të shmangur çdo shfaqje të sëmundjeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›