Të gjitha vendimet e qeverisë në funksion të blerjes së votës
Si mund të hysh në një garë me një qeveri të tillë, që në prag të nisjes së fushatës hap qesen duke bërë gjithçka të jetë e mundur për të fituar votën. Një seri vendimesh të miratuara në një mbledhje janë të gjitha në funksion të fushatës. Megjithatë Berisha i shet si një dhuratë për 20 vjetorin e fitores së demokracisë
Të hysh në garë elektorale me Berishën është shumë e vështirë. Ekspertët e politikës thonë se ai vë në përdorim gjithçka ka në dorë për të fituar sa më shumë vota. Mbledhja e djeshme e qeverisë e tregoi më së qarti një gjë të tillë. Në këtë mbledhje kryeministri Sali Berisha shpalli se ka gati vendimin për amnistinë fiskale, të cilën synon ta realizojë me rastin e 20 vjetorit të fitores së demokracisë, edhe pse nuk ka njeri që nuk e di se synimi i saj është që të përdoret për fushatë elektorale. Ditën që e bëri publike një fakt të tillë, agjencia Reuters shkruante se po e bën për fushatë elektorale.
Ndërkohë vendimet e djeshme përfshijnë edhe falje faturash energjie për qindra mijëra familje, kompensim për të përndjekurit, dhurim banesash, etj.
Amnistia e Berishës bëhet falje
Shumëkush mund të pyesë se përse Berisha përgatit e miraton një draft për amnistinë fiskale, kur e di shumë mirë që nuk i ka votuar për ta miratuar atë në Kuvend. Arsyeja është e thjeshtë: që tu thotë shqiptarëve se opozita nuk dëshiron që atyre tu falet borxhet, kamatat, gjobat e detyrimet. Dhe pasi ta përdorë mirë e mirë deri në fund këtë skemë, duke e akuzuar opozitën se nuk i do të mirën vendit, ai sërish do miratojë një formë të amnistisë, që duhet falje. Është më e ngushtë, por askush nuk e di me saktësi sa e ngushtë do jetë ajo përsa kohë flitet për falje të detyrimeve për qytetarët, biznesin e vogël e madje dhe atë të madh.
Dua të përshëndes të gjithë ata që përfitojnë nga kjo amnisti. U bëj thirrje të shfrytëzojnë harkun kohor deri më 31 dhjetor të vitit 2011 që, në përputhje më këtë ligj, të përfitojnë nga çdo lloj detyrimi që amnistohet.
Ftoj edhe një herë opozitën që të votojë këtë ligj, si një dëshmi e vullnetit për të shfrytëzuar pushtetin që ka në interesin më të mirë të vendit. E ftoj që, në rast se ka vërejtje e sugjerime, të amendojë këtë ligj. Ky ligj është në interes kryekëput të qytetarit, të biznesit dhe jo, absolutisht, të buxhetit të shtetit. Janë vendosur tarifat më të ulëta që mund të vendoseshin. Ndaj gjykoj se opozita nuk ka as një shkak dhe asnjë arsye që të mos e votojë me gjithë zemër këtë ligj shumë të rëndësishëm, duke pasur parasysh se është ligj i vonuar, tha dje Berisha.
Përndryshe ne do të detyrohemi të operojmë me faljen, e cila natyrisht nuk ka spektrin e amnistisë. Falja është më e ngushtë dhe prej saj përfitojnë kryesisht dhe tërësisht biznesi i vogël, përfitojnë qytetarët, përjashtohet biznesi i madh në disa aspekte, vijoi më tej kryeministri.
Falen 380 miliardë lekë fatura energjie
Nëse nuk i ke paguar dritat deri më sot, ke qenë fatlum. Qeveria ka vendosur që të dalë faturat e papaguara për 270 mijë familje në nevojë. Edhe pse pretendon se janë shumë pak familje në nevojë në vend, kësaj here kryeministri i ka shumëfishuar ato për përfitimet e tij elektorale. Sepse nuk ka si kuptohet ndryshe fakti që ai flet për rritje të madhe ekonomike dhe numri i familjeve në nevojë është kaq i madh.
Por nuk është vetëm ky problem. Falja e këtyre detyrimeve është një sinjal për të gjithë se mund të mos paguajnë dhe sërish kur të vijë ndonjë fushatë, do u falen kamatat.
Së dyti, shumë zona të tëra që nuk paguajnë energjinë, përfshi këtu Tropojën, Shkodrën e zona përreth Tiranës, njihen si votues të PD, por nuk i kanë paguar faturat e energjisë prej vitesh, edhe pse mund të kenë pasuri më shumë se ata që paguajnë në disa zona të tjera.
Një ekspert i një instituti në Vienë paralajmëronte pak ditësh se çështja e pagesës së energjisë në Shqipëri nuk zgjidhet përsa kohë disa persona që kanë vila trekatëshe e makina Benz nuk paguajnë detyrimet.
Mirëpo për këta të fundit mendon kryeministri Sali Berisha.
Po sot ne vendosim faljen e detyrimeve ndaj OSSH-së, KESH-it, deri në ditën kur kontrata e firmosur midis OSSH-së dhe CEZ-it ndanë borxhet. Pjesa e borxhit e mbetur në KESH, në institucionin e energjisë, prej saj 380 miliardë lekë të vjetra apo 400 milionë dollarë janë borxhe të konsumatorëve familjarë. Janë, pothuajse 98 përqind detyrime të shtresave në nevojë. E vërteta është që detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këto janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë. Pra shtresat më në nevojë të popullatës, të cilët nuk kanë mundur të shlyejnë këtë detyrim. Qeveria vendos të falë këtë barrë të rëndë që bie mbi ta dhe që po të mesatarizohet arrin vlerën rreth 1407 dollarë për familje, tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
Ky borxh është kontraktuar në atë periudhë kur ndihma ekonomike ka qenë simbolike, e një niveli shumë të ulët, kur pensionet e ulëta kanë qenë qartësisht më pak se gjysma e pensioneve të ulëta sot. Pra në fshat kanë qenë 34 mijë lekë të vjetra, në qytet ato janë luhatur tek 6 apo 7 mijë lekë. Pensionet kanë qenë shumë modeste për të përballuar jetesën. Situata aktuale e pensioneve nuk është aty ku duhet, por janë mbi dy herë më larta. U arrit që në qytet të mos ketë pension të plotë nën 100 dollarë. Madje të ardhurat pensionale janë 112 dollarë. U arrit që në fshat pensioni të jetë mbi dyfishin e asaj që ka qenë 4 vite më parë. Po kështu ndihma ekonomike ka pësuar rritje. Pavarësisht nga kjo, përsëri, një kategori familjesh janë në mjerim dhe ne po punojnë në identifikimin dhe ndërhyrjen për ti nxjerrë nga mjerimi. Prapë ky komb dhe kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, këto 12 përqind e familjeve shqiptare që nuk janë në mjerim, por janë në varfëri, jetën nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë të lehtë. Ndaj dhe ne bëjmë këtë falje të gjitha detyrimeve. Shteti ua quan të paqena dhe gjykoj se ky është një veprim plotësisht i moralshëm, i arsyeshëm dhe një veprim i merituar në këtë 20 vjetor të diktaturës hoxhiste në Shqipëri, u justifikua kryeministri.
Politikë me banesat në Durrës
Meqë Durrësi është një qytet ku gara pritet të jetë shumë e fortë dhe pritshmëritë e demokratëve janë të mëdha, qeveria ka marrë edhe një vendim për ti hequr Bashkisë të drejtën që të merret me familjet e pastreha, duke ia kaluar këtë të drejtë Ministrisë së Transportit.
Bazuar në vendimin e qeverisë të viti 2008, bashkia e Durrësit duhet të fillonte procedurat për privatizimin në emër të banorëve posedues, por tashmë, kur kanë kaluar dy vjet e gjysmë, nga ana e bashkisë nuk ka nisur asnjë procedurë. Nisur nga kjo situatë, kur janë më shumë se 460 familje qytetarësh të pastrehë, të cilët jetojnë në këto ambiente përpara vitit 1992, lind e domosdoshme që në emër të tyre të bëhet privatizimi i këtyre apartamenteve. Ky vendim revokon transferimin e pronave bashkisë Durrës duke ia kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, që Enti Kombëtar i Banesave të kryejë privatizimin e këtyre objekteve të banimit, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Hapet qesja edhe për ish- të përndjekurit
Në mbledhjen e djeshme miratoi edhe vendimin për dëmshpërblimin financiar për ish të dënuarit politik të regjimit komunist.
Ne miratojmë shumën prej 1.5 miliardë lekë të reja apo 15 miliardë lekë të vjetra për shpërndarje për dëmshpërblim për ish të përndjekurit politik. Pra qeveria po bën gjithçka për tu qëndruar detyrimeve që ka ndaj të përndjekurve dhe pronarëve, u shpreh Kryeministri Berisha.
