Të gjithë jemi kalimtarë në LDK

Eqrem Kryeziu ka thënë se pajtohet me Fatmir Sejdiun se Isa Mustafa është kalimtar në LDK. Ai ka thënë se është argëtuar me sofizmat e Sejdiut ndaj LDK-së, sidomos me fjalën kalimtar.
“Në vitin 1997 në Kuvendin e LDK-së, i cili ishte mbajtur atëkohë në restorantin ‘Dora’, ka ndodhur njëfarë shkëputje e Sejdiut, i cili u hodh jashtë lidershipit të LDK-së. Në atë kohë unë pata thënë se të gjithë jemi kalimtarë, se çka po mërziteni?! Por tash Fatmiri paska gjetur një teori të re, që dikush është kalimtar dhe dikush nuk është kalimtar. Unë argëtohem kur i shoh këto sofizma. Qeshi me sofizma të bukura”, ka thënë Kryeziu
Kryeziu, e ka quajtur të guximshëm bashkëpartiakun e tij, Fatmir Sejdiun, për akuzuat që ka drejtuar në kurriz të liderit aktual të partisë. “Ka qenë problem me lyp në kalendar ndonjë takim të Këshillit të Përgjithshëm kur ka qenë Fatmir Sejdiu kryetar i LDK-së. Nuk ishte punë për ta mbajtur ndonjë mbledhje, sa macen a mund ta fusësh në thes? Kurse tash thotë se ‘Isa Mustafa po mban rrallë takime të Këshillit të Përgjithshëm’”, ka thënë Kryeziu, shkruan gazeta Epoka e re.
Ndërkohë, duke e komentuar deklaratën e Sejdiut se ‘Isa është kalimtar në LDK”, Kryeziu ka deklaruar se nuk ka njerëz të pavdekshëm në LDK, por të gjithë janë kalimtarë. Ai ka treguar se Sejdiun e ka ndihmuar të bëhej kryetar i LDK-së dhe president i Kosovës.
“Unë kam qenë ky që pas vitit 1997 kur u largu nga lidershipi i LDK-së z. Sejdiu. Kam insistuar disa herë te presidenti Rugova të kthehet prapë Sejdiu. Ai dikur u kthye dhe ka pasur një pauzë goxha të madhe, të shëndosh, që nuk e ka ndjerë veten dikushi. Kam insistuar që ai të kthehet në LDK. Besoj se ka qenë mirë që është zgjedhur president i Kosovës, natyrisht me një ndihmë të vogël timen. Gjithashtu, është bërë mirë që u bë kryetar i LDK-së, po ashtu me një ndihmë timen shumë të vogël, modeste. Besoj se edhe tash po bën mirë që po flet me lidhje apo pa lidhje, me arsye apo pa arsye. Kryesorja, fjala e tij i shërben si test LDK-së”, ka thënë Kryeziu. /Indeksonline/