E Diel, 1 Nëntor 2026

Halbauer: Në Kosovë qetë, në veri qetësi me tensione

 Komandanti i KFOR-it Volker Halbauer tha se gjendja e sigurisë në katër komunat në veri të Kosovës po shkon në drejtim pozitiv. Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti” ai tha se situata momentale në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme, me përjashtim të veriut ku ajo është e qetë dhe e tensionuar.

Duke rikujtuar se tani në Kosovë KFOR-i ka 5000 ushtarë, në krahasim me vitet 1999 e 2000 kur kishte 50 mijë ushtarë, ai shtoi se kjo flet për përmirësimin e gjendjes.

Po ashtu komandanti i KFOR-it ka thënë se për veriun nuk mund të ketë kurrfarë zgjidhjeje ushtarake, pos asaj politike. “KFOR-i nuk do të përzihet në proceset politike dhe në zbatimin e rendit e të ligjit, për të cilat janë përgjegjëse Policia e Kosovës dhe e EULEX-it, por do të ndërmarrim aksion nëse cenohet siguria”.

Për rolin e ushtarëve amerikanë në veri, ai tha se KFOR-i është multinacionale, përbëhet prej 30 kombesh dhe se ushtarët amerikanë janë në përbërje të KFOR-it./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›