E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera, me shumë të shtëna nëpër ahengje!

Dasmat në kryeqytet, sidomos në sezonin e verës, kur mërgimtarët vijnë në pushime gjithmonë janë në trend. E bashkë me dasmat dhe ahengjet, shtohen edhe të shtënat, të cilat po i shqetësojnë prishtinasit. Këta të fundit, thonë se sidomos gjatë natës, nuk mund t’i mbyllin sytë nga zhurma e të shtënave. Por të shtënat, sipas tyre, përveç se po ua prishin qetësinë në shtëpitë dhe banesat e tyre, kanë frikën se do t’u shkaktojnë edhe viktima, shkruan Zëri.

Zyrtarë nga Policia e Kosovës thonë se sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit, kanë filluar fushatën “Festo me zemër, jo me armë”. E, sipas një raporti të Policisë, vetëm gjatë muajit të shkuar (qershor), Prishtina, për dallim nga qytetet tjera, prin me numër të madh të të arrestuarve, dhe konfiskim të armëve në dasma dhe ahengje familjare.

Në këtë raport janë regjistruar gjithsej 19 raste të paraqitura të të shtënave me armë, përderisa janë konfiskuar 10 pistoleta. Përderisa ka pasur konfiskime armësh në dasma, për fat të mirë nuk raportohet se ka pasur të lënduar. Më tutje në këtë raport thuhet se janë konfiskuar 9 armë të gjata, 29 gëzhoja, janë arrestuar 13 persona, 19 është numri i rasteve që Policia i ka dërguar në gjykatë për armëmbajtje pa leje e prishje të rendit dhe qetësisë.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha se Policia është duke marrë masa ndaj çdo rasti të paraqitur ku ka prishje të rendit dhe qetësisë si dhe armëmbajtje pa leje, etj. /Zëri/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›