Të gjithë në TV Klan thotë Koha Jonë dhe flet (në një atmosferë mondane) për një Ramë-Berishë te Fevziu
E përditshmja Koha Jonë bën në numrin e saj të sotëm një kronikë të zgjeruar 3-4 faqe të një feste të mbajtur mbrëmë në TV Klan me rastin e 15 vjetorit të emisionit Opinion të Blendi Fevziut. Shkruan Koha Jonë: ..Mes një ndriçimi të kuruar me shumë kujdes, me sfond muzikë të qetë dhe gjelbërim e lule rreth e rrotull, pritja u shoqërua nga një atmosferë mondane…
Dhe më pas bën një renditje përpikmërisht shtetare të rëndësisë së të ftuarve: …Në pritjen e djeshme merrnin pjesë shumë të ftuar në vite të Fevziut në Opinion e mes tyre, Presidenti Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministri Sali Berisha, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, kryetari i LSI, Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, etj…
Sipas raportimit të së përditshmes në fjalë, Aleksandër Frangaj në një fjalë përshëndetëse ka ftuar Ramën dhe Berishën për një debat te Fevziu. Dhe ja përshkrimi i gazetës në fjalë për reagimin e Berishës: …Kryeministri Sali Berisha duket se është i gatshëm për një debat televiziv me rivalin politik Rama, por e sheh këtë të fundit si të pamundur për këtë pasi sipas tij, ai ka vështirësi në pranimin e kësaj përballjeje. I pyetur mbrëmë nga gazetarët, nëse është gati për debat politik me z. Rama, Berisha duke cituar z.Frangaj që tha më herët se problemi ndodhet midis liderit të opozitës dhe Kryeministrit, shtoi se tani ky është problem i z. Rama, kjo pyetje është problem i tij, ka vështirësi ai.