E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrebelim në burgun e Burrelit

Një grup të dënuarish për vepra të rënda penale protestuan dje në qelitë e tyre, duke kërkuar takim me ministrin e Drejtësisë, dhe drejtorin e Burgjeve. Ata kërcënojnë se në të kundërt, do të vetëflijohen në dhomat e burgut

BURREL - Mbi 100 të dënuar që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, në sektorin B, u hodhën dje në protestë masive, duke u rebeluar ndaj dhunës që ata pretendojë se ushtrohet mbi ta nga gardianët. Rebelimi erdhi sipas vetë të burgosurve, pas dhunës së ushtruar gjatë ditëve të fundit ndaj bashkëvuajtësve të tyre, Emiliano Reçi, Hajri Losha dhe Guri Dumani, kundër urdhrit për ndërprerjen e marrjes së ushqimeve nga familjarët, si dhe për cënim të të drejtave të njeriut për sa i përket takimit me familjarët. Të paktën këto janë kërkesat që vetë të burgosurit gjetën mënyrën dhe ia bënë me dije dje ata vetë gazetës “Korrieri”. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme situata ka qenë tepër e tensionuar në qelitë e burgut të sigurisë së lartë, nga ku të burgosurit bënë të ditur se do të vetëflijoheshin, duke djegur krevate e dyshekë në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre dhe në rast se nuk i dëgjojnë këto kërkesa krerët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, asnjëri nga këto zyrtarë nuk shkoi në Burrel, ku në fakt mbërriti drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve dhe forca të shumta që janë nën varësinë e tij për të vënë situatën nën kontroll. 

Rebelimi

Pak pas mesditës së djeshme, rreth orës 14:00, në 10 qeli ku vuajnë dënimin nga 8 të burgosur të sektorit B, si dhe disa qeli të tjera me nga 2 të burgosur në sektorët e tjerë, nisi protesta, e cila për disa orë u mbajt në heshtje dhe e pakonfirmuar nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Rreth orës 20:20, kur situata duket se u bë pak më kritike dhe punonjësit e burgut të Burrelit nuk mundën që të bindin të dënuarit që të hapin dyert e qelive, në korridoret e burgut u shfaqën forca të shumta të policisë së burgjeve, ndërhyrja e së cilave mbeti gjithsesi e pabërë publike për median. 

Mesditën e djeshme, të burgosurit, pjesa më e madhe të dënuar për vepra të rënda penale, u rebeluan, duke pretenduar se disa ditë më parë njëri prej të burgosurve, Emiliano Reçi, është dhunuar nga forcat e sigurisë së brendshme dhe më pas është transferuar në burgun e Bënçës në Tepelenë. “Përveç Emilianos, na kanë rrahur edhe shokë të tjerë. Dy prej tyre janë Hajri Loshën dhe Guri Dumani, që ne nuk e dimë ende se ku janë. Duam të takojmë drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibrën dhe ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeajn, ndryshe, nëse ata guxojnë që të na nxjerrin me dhunë nga qelitë, ne do të digjemi të gjallë brenda tyre”, kërcënuan të dënuarit, të cilët kishin bllokuar dyert e qelive me krevate, frigoriferë etj., në mënyrë që askush të mos hynte në dhomë. Në lidhje me ngjarjen u njoftua me shpejtësi drejtori i komanduar i burgut, Beqir Metani, i cili u tregua i gatshëm të dëgjonte kërkesat e tyre. Ai fillimisht tentoi të negociojë me të dënuarit, të cilët ngritën para tij dy probleme. Së pari, ata kërkuan të merren masa ndaj gardianëve që rrahën ditë më parë të dënuarin Emiliano Reçi, i cili zyrtarisht thuhet se tentoi të qëllojë me petrogaz një nga punonjësit e sigurisë. “Së dyti, kërkojmë urgjentisht takim me ministrin e Drejtësisë dhe ministrin e Brendshëm”, u shprehën ata. Në lidhje me ndaljen e agresionit të të dënuarit ndaj një punonjësi të sigurisë në burg, drejtori Metani sqaroi të dënuarit se është zbatuar rregullorja e brendshme dhe se policia e burgut ka bërë vetëm detyrën. Ndërkohë, në lidhje me takimin që ata kërkonin me ministrat, drejtori i burgut u shpreh se kjo nuk është kompetencë e tij. Kjo ngjarje ndodhi vetëm pak orë para emërimit të drejtorit të ri të burgut të sigurisë së lartë në Burrel. Pasi u njoftua Ministria e Drejtësisë, forca e mjete të shumta të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së Burgjeve u dislokuan në mjediset dhe rrethinat e burgut të sigurisë së lartë. Ndërkohë, Prokuroria e Matit nisi menjëherë hetimet rreth ngjarjes.
Kërcënohet me jetë drejtori i burgut
“Do të të vras”, thuhet nga burime zyrtare të burgut të Burrelit, se i tha dje Admir Tafili, i dënuar për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftarit, drejtorit të komanduar të burgut të sigurisë së lartë, Beqir Metanit, nëse ai nuk do t’u plotësonte kërkesat përkatëse. Kjo konfirmohet nga burime zyrtare, ndërsa nga ana e tyre, vetë të burgosurit shprehen se kjo është e pavërtetë. Ata dëshmojnë se u kanë kërkuar zyrtarëve të burgut të dinë për fatin e shokëve të tyre të rrahur dy ditë më parë dhe të mos ushtrohet më dhunë nga gardianët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›